Nga: Fedhon Meksi
I. HARRESA
Në librin “Mosmarrëveshja”, shkrimtari i madh Ismail Kadare i ka trajtuar rilindësit si vetëm ai di: “Ashtu si flamuri, ashtu si himni, e pa dyshim Kastrioti, rilindësit quheshin të paprekshëm në Shqipëri. Këta misionarë, që herë-herë merreshin si apostuj, por pa Krisht, ishin gjendur në krye të popullit shqiptar në një orë të veçantë për të, atë të ndarjes së robërisë nga liria” (Kadare, Ismail: Mosmarrëveshja, 2010, f. 114). Veçse, edhe për vlerësimin e rilindësve tanë kemi debatuar shpesh në të kaluarën dhe s’kemi dashur t’i kuptojmë ata siç duhet. Por koha në shekullin që jetojmë nuk na i fal vonesat. Ne nuk mund të kemi një të tashme të gjallë me një të shkuar të vdekur, aq më tepër kur e kemi vrarë vet, ose kur me indiferencën tonë kemi lejuar dhe po e lejojmë që të na i vrasin.
Duket e çuditshme, por është e vërtetë. Të gjithë veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, që kanë jetuar gjatë shek. XIX (1787-1878), edhe kur i kanë vrarë ose helmuar, për ta është thurur një propagandë e hapur me shpifje dhe trillime jo vetëm nga jashtë, por fatkeqësisht edhe nga brenda vendit. Ali Pashë Tepelena është sulmuar më shumë nga gjithë të tjerët, por duke vazhduar kronologjikisht nuk mund të thuhet se është kursyer dr. Vangjel Meksi, mjeku i tij dhe shqipëruesi i Dhiatës së Re. Sapo ndërroi jetë (1823), emri i tij u hoq nga ballina e librit të shenjtë. Në vitin 1846, Patrikana dhe Porta e Lartë helmuan Naum Bredhi-Veqilharxhin, i pari ndër shqiptarët dhe të huajt që tregoi lashtësinë e kombit shqiptar dhe përparësinë e kombit mbi fetë si bazë e harmonisë fetare, një fenomen specifik shqiptar. Kanë kaluar 200 vite dhe në ndonjë libër të ditëve tona vazhdon të shpifet “trashë-trashë” edhe për Naumin, dëshmorin e parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Vetëm për nga letërnjoftimi janë shqiptarë ata që baltosën figurën e atdhetarëve, Vangjel Zhapa dhe Anastas Byku. Kurse për dr. Apostol Meksin, etnologu i parë shqiptar, është zgjedhur një tjetër mënyrë baltosjeje, ajo e harresës. Duke filluar nga mesi i shek. XIX, atdhetarët shqiptarë, intelektualë, por edhe studentë, filluan të mbledhin prova direkt nga populli, që të dëshmonin se etnografikisht shqiptarët ndryshonin nga popujt e tjerë. Kanë kaluar 200 vjet, por gjimnazistëve të Zosimeas, Apostol Meksit dhe Kostandin Kristoforidhit u mohohet vërtetësia e përrallave e gjëegjëzave që mblidhnin direkt nga populli. Shqiptarët nuk duhet t’i falin as edhe ata që kanë mbajtur të fshehur shkollën e Labovës së Madhe me foshnjore, fillore, qytetëse dhe dy klasë gjimnaz, ku mësohej edhe gjuha shqipe me abetaren ‘Grammë për shqiptarë’ (1861).
Në vazhdim do të përpiqem të armatos lexuesit me fakte dhe argumente, në mënyrë që ata të njohin jetën edhe veprën e atdhetarëve shqiptarë me aktivitet gjatë periudhës 1787-1878, që për fat të keq, disa prej të cilëve nuk mësohen në shkolla ose mësohen pjesërisht dhe në ndonjë rast, edhe me gabime.
Mësimi i mangët i Historisë së popullit shqiptar në shkollat e mesme, që mjaftohet vetëm me Gjergj Kastriot Skënderbeun, pa u thelluar me Ali Pashën dhe Mahmut Pashë Bushatlliun, për të vazhduar të paktën me dr. Vangjel Meksin, Evstrat Vithkuqarin, dr. Jan Velarain, Haxhi Shehretin, Vangjel Zhapën, Athanas Paskalin, Anastas Bykun, Apostol Meksin etj., është një krim patriotik dhe një nga faktorët e ftohjes së të rinjve shqiptarë me atdheun dhe të parët e tyre dhe si pasojë, me emigrimin masiv që po rritet në mënyrë progresive. Heroi Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, pa dyshim është më i madhi ndër shqiptarët e djeshëm dhe të sotëm. Por, të rinjtë e sotëm, sigurisht që mund të zgjedhin për të pasur si model edhe një tjetër për krah Skënderbeut, ndoshta një ose më shumë nga ata që u paraqitën më sipër, ose të tjerë që u dalluan gjatë Lidhjes së Prizrenit, ngritjes së flamurit në Vlorë, ose në luftën fitimtare të Vlorës, si edhe në luftën kundër pushtuesve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Por, këta trima shqiptarë, fillimisht duhen që të njihen nga të rinjtë e sotëm pasi t’ua paraqesim në librat e tyre të historisë, në të cilët duhet të vendosen disa raporte të tjera e të logjikshme midis kapitujve, ndoshta edhe të shtohen disa të tjerë për periudha të caktuara të historisë së popullit shqiptar, me aktivitet të dendur patriotik. Veçse sa më shpejt. Pa u vonuar.
II. EDHE NJË HERË PËR ALI PASHË TEPELENËN
Kancelaritë osmane të tronditura nga rebelimi i Ali Pashë Tepelenës, për të ndaluar çdo prirje separatiste apo kryengritje të ngjashme me to, shfrynë urrejtjen e tyre mbi figurën e tij me akuzat më paranojake, fyese dhe hakmarrëse si: i pabesë, i pafe, tradhtar, satrap, gjakpirës, të njëjta me akuzat që përhapën shekuj më parë kronikat osmane për Gjergj Kastriot Skënderbeun. Por krahas propagandës osmane, të njëjtin qëndrim mbajti edhe propaganda zyrtare franceze dhe disa shkrimtarë francezë të njohur, të cilët shkruan pa kursyer kundër Ali Pashës dhe shqiptarëve.
1. Veçse, ushtria franceze e gjeneral Bonapartit, pasi shkatërroi Republikën e Venedikut dhe pushtoi ishujt jonianë dhe qytetet përballë tyre, po u afrohej kufijve të Pashallëkut të Janinës duke pasur qëllime të errëta. Për Ali Pashën ishte e qartë se interesat strategjike të Francës shkonin më larg, madje duke kaluar nga trojet shqiptare, Napoleoni synonte të pushtonte edhe Stambollin. Nga ana e tij, Ali Pasha me ushtrinë që kishte përgatitur për këtë qëllim lëshoi të gjitha forcat kundër ushtarëve francezë në Butrint dhe më pas në Prevezë, ku më 12 tetor 1798 masakroi ose zuri rob mbi 300 ushtarë dhe oficerë.
Por, pas francezëve Pukëvil dhe Ibrahim Manzur Efendi, shërbyes të politikave ekspansioniste franceze të kohës, ishte studiuesi francez A. Boppe (1862-1921) që nxori nga arkivat franceze mjaft dokumente të papublikuara më parë, të cilat vërtetonin “…veprimtarinë konspirative të francezëve kundër Ali Pashës, organizimet ushtarake dhe financiare për përmbysjen dhe eliminimin e tij, për t’i hapur rrugë zbarkimit dhe pushtimit të trojeve shqiptare” (Boppe, A: L’Albanie et Napoleon, Paris 1914). Madje, kohë më parë, A. de Beauchamp (1769-1832) kishte pohuar se: “Pukëvili nuk ishte gjithmonë objektiv ndaj shqiptarëve dhe Ali Pashës. Në veprat e tij hasen shpesh teprime, pikëpamje të hedhura apriori, tendencioze dhe qëndrime me prirje të hapura armiqësore (Beauchamp, A.: Vie d’ Ali Pacha, visir de Janina, Paris 1822). Në Enciklopedinë e Madhe Franceze, veprat e F. Pukëvilit cilësohen “… më tepër punime të vulgarizuara, sesa shkrime të vërteta origjinale dhe shkencore”. Ndërkohë, Pukëvili duhet të ketë qenë superficial dhe pa vlera intelektuale, deri sa përdor germën x – ks (toxid – toksid) për të shkruar scype toskide (shqipe toske – toskërisht).
2. Një nga arritjet e rëndësishme të Ali Pashës është edhe konsolidimi i procesit të formimit të shqiptarëve si komb. Shqiptarët në kohën e Aliut identifikoheshin duke iu përgjigjur Hobhauzit (1788-1824): “Ne jemi shqiptarë” dhe jo si grekët, vllahët e turqit që identifikoheshin sipas miletit, të cilit i përkisnin (mileti ortodoks ose mileti mysliman). Në këtë mënyrë, Hobhauzi përcaktoi territoret ku banonin shqiptarët si shumicë, në bazë të të cilëve u hartua harta e parë e Shqipërisë (Albania – 1813).
3. Duke zbritur në histori dhe duke dëshmuar për rolin e Ali Pashës për bashkimin e trojeve shqiptare dhe formimin e shtetit të pavarur shqiptar, për konsolidimin e procesit të formimit të shqiptarëve si komb, por edhe si nxitës për lëvrimin e gjuhës shqipe, mund të shtyhet disa dekada më thellë në histori caku i fillimeve të nacionalizmit shqiptar, që lindi dhe vazhdon të jetë specifik, demokratik, përtej feve dhe europianist. Për këto arsye, në kujtesën e shqiptarëve të shekujve XVIII-XIX, “Mahmut Pashë Bushatlliu dhe më pas Ali Pashë Tepelena u ruajtën si shembujt më të hershëm të nacionalizmit shqiptar” (Zavalani T.: Nationalism in Eastern Europe, 1969, f. 59).
4. Një studim analitik i hartuar në zyrat e analistëve francezë të zbulimit, i përgatitur sipas kërkesës së posaçme të perandorit të tyre, ofron konkluzione interesante. Ky studim që do të lexohej nga vetë perandori, pa dyshim që duhet të ishte i zhveshur nga subjektivizmi dhe të ofronte të dhëna sa më korrekte dhe të sakta në mënyrë që të ndërmerreshin qëndrime dhe politika realiste dhe racionale. Në këtë raport parashtrohet ky profil për Pashain: “Pashai, edhe pse është rreth të pesëdhjetave, tek ai nuk gjendej ndonjë gjurmë e plakjes së parakohshme.
Fytyra e tij fisnike dhe e çiltër karakterizohet nga tipare të theksuara, të cilat shprehin në mënyrë të dukshme pasionet që e shqetësojnë. Shpesh ai sillet si mjeshtër i lojës së fizionomisë. Vështrimi i tij të magjeps, të qeshurit ritmik tregon të kundërtën e asaj që në të vërtetë e ngacmon. Kur dënon dikë, ai nuk mund të përballojë hidhërimin dhe këtë ai e shpreh me shtrembërim të theksuar të tipareve, gjë që zbulon karakterin e tij ekspresiv.
Ai është trim sa s’ka ku të vejë më! Krahët e tij dhe gjoksi janë plot me shenja plagësh të denja për t’u nderuar. Ai është i palëkundur në realizimin e qëllimeve që ka. Nëse rrethanat e detyrojnë ndonjëherë të tërhiqet nga plani, ai përsëri i kthehet atij dhe kurrë nuk e heq nga mendja atë çka synon të realizojë. Është shumë i vëmendshëm dhe shqetësohet për të pavërtetat që përhapin për të dhe ndjek me kujdes lajmet për disfatat e mundshme që pëson Perandoria Turke. Si njeri i shkathët dhe i zgjuar, ai përfiton nga pushteti i dobët i të tjerëve për të zgjeruar kufijtë e pashallëkut të tij dhe për të dominuar në terrene më të gjera dhe të rëndësishme. Ai është i fuqishëm edhe për shkak të njerëzve që mban pranë, të cilët ai vetë i përgatit dhe i promovon, apo lidhjeve të tjera dhe miqve që ai ka gjerë në Portën e Lartë.
Atij i pëlqen të përsërisë shpesh që është Pirrua modern. Por, nëse ai nuk ka fisnikërinë dhe bujarinë e Pirros, nga ana tjetër ai ka shqetësimin e përhershëm, interesimin, mprehtësinë dhe vëmendjen për të ndjekur me kujdes çështjet e diplomacisë dhe ato ushtarake. Politika e tij është e qëndrueshme, pasi nuk mbështetet asnjëherë në garanci të dyshimta që e kanë rriskun nga pas. Ai ndihet i sigurt dhe superior mbi pashallarët e tjerë, pasi ka informacion të bollshëm në raport me ta. Mban përherë sytë hapur për të kontrolluar gjithçka ndodh në Europë, për këtë ai vë njerëz që i përkthejnë gazetat e huaja. Rrallë ndodh të kalojë ndonjë i huaj nëpër pashallëkun e tij pa kërkuar që t’ia sjellin atij përpara, për të mësuar diçka të re nga ai. Pasi i grumbullon të gjitha këto informacione, ai i krahason ato me njëra-tjetrën për të qenë i parapërgatitur për gjithçka që mund të ndodhë” (Beauchamp, A., po aty, fq. 104).
III. PO BASHKËPUNËTORËT E PRIFTIT…?
Më 1825 filluan përgatitjet për botimin e plotë të Dhiatës së Re, shqipëruar nga dr. Vangjel Meksi, autor edhe i gramatikës së parë në gjuhën shqipe. Krahas punonjësve të Shoqërisë Biblike në Korfuz, ku do të shtypej libri i shenjtë, ndodhej edhe Grigor Gjirokastriti, që më pas u emërua Kryepiskop i Athinës (1829). Veçse shprehja e gjetur e G. Gjirokastritit se: “Shqiptarët kanë zakon t’i mbajnë librat në gji”, që në të vërtetë ka formuar në mënyrë të shkëlqyer figurën e shqiptarit me libër në gji, duke u përpjekur për liri, dituri dhe prosperitet, nuk është aspak e mjaftueshme që t’i japë të drejtë priftit të botonte Dhiatën e Re pa emrin e përkthyesit të vërtetë, dr. Vangjel Meksi. Duke shënuar në ballinën e librit vetëm emrin e vet si kujdestar, prifti krijoi një tymnajë rreth autorësisë së shqipërimit të Dhiatës së Re, që zgjati një shekull e gjysmë.
Deri më vitin 1856, gjithkush mund të binte në grackën e përgatitur në Korfuz. Por në dhjetor të vitit 1856, Isak Laundz, një nga personalitetet kryesore të Shoqërisë Biblike që kishte ndjekur procesin e botimit, takohet me Hahn-in, që konsiderohej autoriteti i gjallë më i lartë i literaturës shqipe dhe i tregoi për përkthyesin e vërtetë. Nga ana tjetër J. Vreto (1822-1890) ka shkruar se, sipas thënieve të K. Kristoforidhit, përkthyesi i vërtetë i Dhiatës së Re është Vangjel Meksi. Kurse Ilo Mitkë Qafëzezi shkruan se G. Gjirokastriti ka qenë vetëm epistaf (kujdestar). Me gjithë këto dëshmi të pakontestueshme, jo vetëm trillues të zakonshëm, por edhe studiuesit shqiptarë, kishin lejuar që të vazhdonte tymnaja, e cila u qartësua plotësisht vetëm më 1971, pas zbulimeve të Xh. Lloshit në arkivat e Shoqërisë Biblike në Londër, ku u gjet dokumentacioni i plotë i botimit të Dhiatës në shqip.
IV. MËKATET NDAJ NAUM BREDHI-VEQILHARXHIT
Naum Bredhi-Veqilharxhi (1797-1846), njohës i thellë i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, hartoi programin kombëtar dhe përpunoi platformën ideologjike, që do të shërbenin për të penguar shkombëtarizimin e Shqipërisë së Jugut. Në këtë mënyrë, ai përcaktoi drejtimin kryesor të nacionalizmit shqiptar dhe specifikën e tij, që do të mbështetej mbi gjuhën amtare dhe jo mbi fetë, si nacionalizmat e tjera ballkanase. Naumi vuri gurin e parë për rilindjen e kombit shqiptar, që do të përfshinte të gjithë shqiptarët, myslimanë dhe të krishterë.
1. Porositë prej profeti të Naumit dhe idetë e tij, çuditërisht nuk janë pasqyruar në masën e duhur në tekstet shkollore, si edhe në veprën akademike Historia e Popullit Shqiptar (HPSH). Duket se për autorët e këtyre teksteve Naumi ishte vetëm një idealist, iluminist, racionalist dhe evolucionist. Shprehja e tij se: “Në natyrën njerëzore nuk shihen kërcime, por rregull gradual” (Letra…1846), duket se e mbushi kupën dhe zyrtarët e kohës vendosën ta pengonin që të hynte në kryeqytetin e kombit, Tiranë, emri i tij, për t’u vendosur qoftë në pllakën e një rruge ose mbi portën e ndonjë shkolle. Sigurisht, nuk bëhej fjalë për një bust që, në mes të një lulishteje në Tiranë, të përjetësonte Naumin e Madh.
2. Në veprën HPSH, edhe kur flitet për alfabetin e Naumit, ai cilësohet i vështirë për t’u përvetësuar. Ndërsa unë do t’i besoja patriotit bashkëkohës, Athanas Paskalit, që për korçarët “mendja e tij është terezi floriri”, tek i shkruante Naumit: “..edhe në mungesë të mësuesve dhe të shkollave, kemi mësuar të shkruajmë gjuhën amtare me lehtësi dhe shpejtësi, sa çdo komb tjetër mëson të lexojë dhe të shkruajë gjuhën e vet” (Korçë 1845).
3. Për sa i përket çështjes së marrëdhënieve me Turqinë, jo pa qëllim nuk është trajtuar asnjëherë drejtpërdrejt në shkrimet e N. Veqilharxhit. Pas krijimit të shtetit grek dhe serb, u shprehën hapur ide shoviniste dhe aspirata ekspansioniste, sipas të cilave pas vdekjes së të Sëmurit të Bosforit, tokat shqiptare në Jug dhe Veri të vendit ishin të destinuara për t’u pushtuar nga fqinjët shovinistë. Naumi, si të gjithë bashkëkohësit e tij, në kushtet kur Rilindja po vononte të lindte, mendonte se për interesat e atdheut në periudhën e dhënë, status quo-ja do të ishte zgjidhja e duhur.
4. Idetë origjinale të Naumit për përdorimin e gjuhës shqipe të lëvruar e të shkruar me alfabet të veçantë, për të bashkuar shqiptarët që praktikonin tri fe të ndryshme, ose gjetja e përparësisë së kombit mbi fetë që qëndron në bazë të harmonisë fetare, duhet të kishin vend në veprën akademike HPSH, madje edhe në librat e shkollave të mesme.
5. Kundërvënia ndaj veprës së Naumit del edhe më hapur lidhur me qëndrimin e akullt ndaj shkollave, ndër të cilat edhe ajo e Trebickës, ku sipas rilindësit Spiro Dine (1844-1922), mësohej shqipja me Ëvetaret e Naumit edhe 10 vjet pas hyrjes së tyre në Shqipëri (1854).
6. Në Letrën drejtuar J. Calit, student në Vjenë, Naumi formulon për herë të parë në historiografi përkufizimin e tij për kombin shqiptar: “… një komb si ai shqiptari, i krijuar në të njëjtën kohë me kombet e tjera, zë një vend të caktuar në tokë, ka tipare të veçanta të gjuhës, të dokeve dhe zakoneve…”, ndërsa nga Tirana e kundërshtojnë me një shkrim të tillë: “… për të kuptuar procesin nëpër të cilin kaloi kombformimi i shqiptarëve, duhet të zhvendosemi në Ballkanin e shekullit XIX” (Misha, P.: Arratisja nga burgjet e historisë, Tiranë 2008, f. 22).
7. Pas çmitizimit të lashtësisë së historisë së kombit shqiptar, të Skënderbeut dhe Nënë Terezës, ja edhe “çmitizimi” i Naumit, që nis në faqen 60 të librit të sipërpërmendur, ku gjendet e shkruar një çudi tjetër: “Naum Veqilharxhi, një ndër figurat më të shquara të periudhës së parë të Rilindjes, i krahasonte shqiptarët me një larvë që pret të bëhet flutur”. Është dhunuar e vërteta. Në letrën e famshme që Naumi i drejtoi nipit plëngprishës dhe gjithë të tjerëve që fshiheshin pas tij, që në fakt ishin mësuesit e vërtetë të tij, shkruan ndër të tjera: “Por ti u besove trashë e trashë mësuesve të tu, se nga të gatuarit e njeriut dhe gjer tani kombi shqiptar paska qenë… si një larvë insektesh….” (Veqilharxhi, N.: Letra dërguar.. -1846). A nuk është hequr me qëllim që të ndryshojë kuptimi, fjalia: “Por u besove trashë e trashë mësuesve të tu?”
V. VANGJEL ZHAPA, I DËNUARI ME VDEKJE
1. Në veprën akademike HPSH (2002) del se pas vdekjes së N. Veqilharxhit (1846) ka pasur një “zbrazëtirë 20-vjeçare”, për sa i përket veprimtarisë patriotike të shqiptarëve. Në të vërtetë, kjo “zbrazëtirë” nuk ka ekzistuar, por është porositur për të baltosur figurat e Vangjel Zhapës (1800-1865), Nderi i Kombit, dhe të Anastas Bykut, gazetari i parë shqiptar, për të groposur përfundimisht Apostol Meksin, etnografi i parë shqiptar dhe për të anashkaluar përpjekjet e patriotëve korçarë dhe të fshatarëve labovitë për futjen e gjuhës shqipe në shkollat dhe në kishat e tyre. Veçse, sikurse dihet, këta idhuj të patriotizmit shqiptarë kanë jetuar dhe punuar gjatë së ashtuquajturës “zbrazëtirë 20- vjeçare”. Por gjatë kësaj periudhe, një vit pas publikimit të promemorieve të N. Veqilharxhit, u mblodh kuvendi në Mesaplik që shpalli popullin shqiptar, mysliman e të krishterë, një e të pandarë (1847). Më vitin 1854, Hahn-i me Apostol Meksin si bashkautor, boton librin Studime shqiptare, ku argumentohet katërçipërisht autoktonia e shqiptarëve. Më vitin 1859, V. Zhapa me A. Bykun botojnë gazetën “Pellazgu”, gazeta e parë shqiptare në mbështetje të Rilindjes, kurse më vitin 1861 A. Byku botoi abetaren “Grammë për shqiptarët”, me alfabet të veçantë për t’u përdorur në shkollën e Labovës së Madhe me dy klasa gjimnaz, ku mësohej edhe gjuha shqipe etj.
2. Kurse Vangjel Zhapën e gjejmë në disa dokumente që vërtetojnë se gjatë viteve ’40 të shek. XIX qëndronte pranë Naumit në Rumani dhe “….kishte diskutuar me javë të tëra me të, lidhur me alfabetin e tij të veçantë të gjuhës shqipe”. Nikolla Naço (1843-1913) ka dëshmuar nëpërmjet gazetës së tij “Shqiptari të Bukureshtit” se “V. Zhapa daroviti 25.000 florinta dhe punoi bashkë me N. Veqilharxhin për të shtypur shumë libra…”. Sikurse dihet, librat e Naumit janë edhe dy Ëvetaret, që hodhën hapat e para të arsimit në gjuhën shqipe.
Por, historiografia zyrtare mban me këtë rast një qëndrim të kundërt: “Veqilharxhi iu drejtua V. Zhapës etj., që të jepnin përkrahjen e tyre për të shtypur libra shkollorë në gjuhën amtare dhe për të hapur shkolla shqip. Por V. Zhapa doli kundër orientimit të pavarur të veprimtarisë arsimore shqiptare” (HPSH, II, fq.105).
Veçse historiani rumun, G. Grandea, dëshmon se: “N. Veqilharxhi kishte përgatitur abetaren e parë në gjuhën shqipe, gramatikën dhe libra të tjerë mësimorë. V. Zhapa me Arsaqin e dërguan në Stamboll me letra rekomandimi për shtypjen e librave dhe nxjerrjen e fermanit të Sulltanit për futjen e tyre në Shqipëri dhe për hapjen e shkollave ku do të mësohej gjuha shqipe. Librat u shtypën menjëherë, fermani doli dhe librat u dërguan në Shqipëri” (Grandea, G.: Carte de alegre, Bukuresht, 1887, f. X-XI).
3. Një ekip nga Shoqëria Komisionare u dërgua në Stamboll më 11 mars 1963, për të kërkuar pronat e V. Zhapës në Turqi. I njëjti komision u dërgua edhe në Athinë, veçse dosja përkatëse nuk gjendet në të gjitha arkivat shqiptare që u kontrolluan me këtë rast. Në dosjen me nr. 826, që sipas shënimit në ballinën e saj duhet të kishte 59 fletë, në të vërtetë u gjetën vetëm 10 fletë, që i përkasin raportimeve të Shoqërisë Komisionare lidhur me pasurinë e V. Zhapës në Turqi.
Por fletët që i përkasin aktivitetit të komisionit të Shoqërisë Komisionare gjatë qëndrimit në Greqi, ku gjenden vallë?
Prej kohësh janë siguruar dëshmitë verbale të dy prej anëtarëve të ekipit të Shoqërisë, që pohojnë qëndrimin e tyre në Athinë pas largimit nga Stambolli.
Kurse në Athinë ose në një vend tjetër, shtyrë nga “Raisons d’ Etat” (për arsye të interesit shtetëror), duket se është arritur një marrëveshje në mes shtetit shqiptar, që në ato kohë pas ndërprerjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik ndodhej në gjendje të vështirë ekonomike, dhe atij grek, për “shkëmbimin” me Greqinë të V. Zhapës karshi një pjese të pasurisë të tij.
Ndërkohë që V. Zhapa po harrohej dhe ndihma e përvitshme prej 1.700 napolona flori që dërgonte në Labovë ishte ndaluar që prej vitit 1945, ndodhën një varg ngjarjesh të çuditshme:
– Në zbatim të marrëveshjes së supozuar në mes dy shteteve, për habinë e të gjithëve u botua një shkrim në revistën “Studime historike”, 1965, 2, në faqet e së cilës V. Zhapa cilësohej si armik.
– Pas shkrimit të mësipërm në Labovë, Tiranë dhe kudo ku banonin labovitë, u organizua një fushatë e egër për baltosjen e figurës së Vangjel Zhapës.
– U gjet vetëm një labovit, i cili pranoi të shkatërrojë varrin e V. Zhapës në Labovë dhe bustin e tij, që në të vërtetë ishin vepra arti (1970).
Duket se edhe shkatërrimi i varrit të Vangjel Zhapës, që do të ndërpriste përfundimisht lidhjet me atdheun e tij, ishte pjesë e marrëveshjes.
VI. ANASTAS BYKU – “TOSKU I INSPIRUAR NGA DASHURIA PËR TË KALUARËN DHE TË ARDHMEN E POPULLIT TË TIJ” – GUSTAV MAJER.
1. Në tekstin HPSH, 2000, II, f. 105, figura dhe vepra e Anastas Bykut (1828-1878) sulmohet duke përdorur argumente të sajuara dhe kontradiktore: “A. Byku, ndonëse ishte për ruajtjen e karakterit të veçantë të popullit shqiptar, u shpreh kundër zhvillimit të tij të pavarur dhe për përfshirjen e tij në gjirin e helenizmit”. Në të vërtetë, grekët me gojën e tyre pranonin se “Ai (Byku) zhvilloi një polemikë të ashpër me gazetarin grek Nevukos, i cili përdorte argumentin se shqiptarët ortodoksë ishin vetvetiu pjesë e helenizmit dhe mësimi i shqipes prej tyre, që do të kryej sipas programit të A. Bykut dhe të V. Zhapës, do t’i largonte nga helenizmi në vend që t’i shkrinte me të” (Pellazgu, 29. XI. 1860). Ky ishte në të vërtetë qëllimi i Zhapës dhe Bykut, që të pengonin helenizimin e Shqipërisë së Jugut. V. Zhapa së bashku me A. Bykun shtruan në mënyrë programatike se, “Në qoftë se nuk e mësojmë popullin shqiptar në gjuhën e tij amtare, nuk është e mundur ta edukojmë atë”.
2. Është shkruar se: “Mendimi i Bykut, i cili e vinte lëvizjen shqiptare në vartësi të synimeve të qarqeve panheleniste, u kundërshtua nga veprimtarët e lëvizjes shqiptare, midis tyre edhe nga Thimi Mitko” (HPSH, 2002, f. 105 ). Për këtë rol, autorët e HPSH duhet të ngarkonin një tjetër rilindës, mbasi “…dihet se Th. Mitko qe mbështetës i idesë për një shtet dualist shqiptaro-grek” (Buda, Aleks: Të dhëna mbi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, Studime Historike, 2, 1965, f. 60).
3. A. Byku akuzohet gjithashtu se “….po krijonte dy rrugë të veçanta për popullin shqiptar, një për Veriun dhe një tjetër për Jugun, duke penguar në këtë mënyrë përpjekjet për bashkimin e tij kombëtar”. Veçse, kur “Shqipëria kalonte çaste të vështira, kur i kërcënohej rreziku i copëtimit sipas vendimeve të Kongresit të Berlinit, Anastas Byku ngrihet, organizon dhe boton më 6 gusht 1878 një numër gazete me 8 faqe, për të vlerësuar luftën e shqiptarëve kundër rrezikut të copëzimit të Shqipërisë” (Boriçi, H.: Pellazgu dhe botuesi i saj A. Byku, Historia e medias, 1990, f. 166).
4. Edhe pse A. Byku thekson disa herë idenë se “Ishim e jemi dhe do të jemi shqiptarë”, ose: “Populli shqiptar, ndonëse i ndarë në disa fe, është një popull i veçantë, i cili me anë të arsimit duhet të arrijë vetëdijen e tij kombëtare dhe duhet të fitojë rëndësinë politike që i përket”, edhe pse për të arritur këtë qëllim, A. Byku së bashku me V. Zhapën paraqesin një program të gjerë veprimtarish, të cilat përfshijnë botimin e librave shkollorë në shqip, hapjen e shkollave shqipe mundësisht në çdo fshat dhe ndërtimin e gjimnazeve, si edhe të dy shkollave të mesme për vajza në Rrëzë dhe Labovë, gjithashtu në shqip (Pellazgu, 5 maj dhe 24 dhjetor 1860), kumtesa çuditërisht përfundon me këto fjalë: “Në dritën e këtyre shëmbëllave le të vizatet gjykimi i historisë mbi A. Bykun dhe rrymën që përfaqëson ai, si një rrymë divergjente dhe në kundërshtim me lëvizjen e madhe të Rilindjes sonë Kombëtare” (Buda, A.: po aty, fq. 63).
VII. APOSTOL MEKSI – MËSUESI TOSK I HAHN-IT
1. Për Apostol Meksin (1825-1879), deri në vitin 2007 është shkruar vetëm një herë. Ishte Dhimitër S. Shuteriqi, që në librin e tij me titull “Shkrime shqipe” në vitet 1332-1850 përmend se: “Apostol Meksi, edhe ky mjek, i dha mësimet e para Hahn-it bashkë me Kristoforidhin dhe mblodhi një pjesë të folklorit tosk ,që albanologu e botoi në Albanesische studien”. Kurse në vitin 1980, në faqet e revistës “Kultura popullore”, Nr. 2, botohet nga libri “Studime shqiptare” kapitulli “Zakonet familjare të Rrëzës”, me autor Hahn-in dhe jo me autorin e vërtetë, Apostol Meksin. Në vitin 1985 botohet FESH, por në 1280 faqet e tij nuk duket në asnjë cep emri i Apostol Meksit, ndërkohë që në zërin për Hahn-in shkruhet vetëm: “Hahn-i punoi për shqipen me ndihmën e Kostandin Kristoforidhit”. Po Apostol Meksi? Nuk duket më. Pse? Në këto kushte, as që mund të mendohet që emri i tij të shfaqej te HPSH botuar në vite. Heshtja për veprimtarinë e A. Meksit, ndoshta mund të jetë gatuar nisur edhe nga meskiniteti njerëzor, për të eliminuar hijen që mund të prekte qoftë edhe pjesërisht Kristoforidhin e Madh, i cili pa dyshim ngelet po aq i madh edhe duke pasur Apostol Meksin për krah.
2. Veçse, në librin e përmendur më lart gjenden edhe një varg me provokime që lidhen me folkloristët rilindës: “…nëse deri atëherë ata ishin rrekur të përligjnin të drejtën historike të shqiptarëve për t’u konsideruar një komb i veçantë, duke zbuluar apo, shpesh, edhe duke krijuar fakte ku mbështetej legjitimiteti historik i pretendimeve të tyre…..” (Misha, P., po aty, f. 53). Ndërsa vetë Hahn-i, në librin “Studime shqiptare”, pasi pranon bashkautorësinë me Apostol Meksin për kapitullin “Zakonet familjare në Rrëzë”, dëshmon se: “Mësuesi im tosk Apostoli, prej kohësh më kishte treguar ato që dinte lidhur me zakonet e krahinës dhe veçanërisht të fshatit të tij Labovë. Megjithatë, Apostoli pyeti edhe një herë të moshuarit për çështje të veçanta, në mënyrë që të siguronte informata të sakta dhe që vinin nga disa burime. Më pas, Apostoli më dorëzoi materialin të ndarë në disa kapituj, të cilin, pasi e kontrolluam edhe një herë bashkërisht, e përktheva në gjermanisht, duke i bërë vetëm ndonjë korrigjim të rrallë. Kjo metodë, vërtet e komplikuar, rezultoi e saktë veçanërisht për t’i dhënë përshkrimit një ngjyrë të vërtetë kombëtare” (Hahn, J. G.: Studime Shqiptare, Tiranë 2007, fq. 265).
Në të vërtetë, dr. Apostol Meksi, që më në fund konsiderohet si studiuesi i parë shqiptar në fushën e etnografisë (FESH-2008), i paraprin një varg patriotësh folkloristë shqiptarë që mblodhën, përpunuan dhe paraqitën në librat e tyre pasurinë folklorike të popullit, gjithmonë duke respektuar kriteret e mirënjohura shkencore. Këta atdhetarë të shquar dhe folkloristë mblodhën dhe botuan këngë, rapsodi, përralla, gjëegjëza që janë të bollshme në thesarin folklorik të popullit shqiptar, pa qenë aspak e nevojshme të krijonin të tjera.