Site icon Telegrafi

Anthony Joshua zbulon favoritin kryesor për rival të ardhshëm

Gjithnjë e më shumë shtohet mundësia që të ndodhë përballja e boksit mes dy britanikëve Anthony Joshua dhe Tyson Fury.

Ata janë dy boksierët që kanë mundur Wladimir Klitschko, të dy janë të pamposhtur në ring dhe duket se e gjithë bota synon të shohë këtë sfidë.

Prej kohësh boksierët kanë lëshuar sinjale mes tyre, për të kryqëzuar dorezat në ring, sinjale që janë bërë edhe më konkrete ditët e fundit. Joshua korri ditën e shtunë fitoren e 19-të në ring, duke mundur me “KO” teknik Wladimir Klitschko, por duke folur për të ardhmen ai tha se ende s’ka vendosur për rivalin.
“Mendoj se rivalin e radhës do ta vendosin fansat dhe unë e dëgjoj zërin e tyre. Ato po më çojnë drejt një përballje britanikësh dhe ju e kuptoni për kë e kam fjalën, sfidën me Tyson Fury”, u shpreh sot në një intervistë Anthony Joshua.

Përballja me Klitschko gjeneroi mbi 70 milionë euro, ndërkohë që ajo u ndoq nga 90 mijë shikues në stadiumin “Wembley” të Londrës (nga biletat u arkëtuan 10 milionë euro). Por kërkesat kanë qenë për më shumë se 100 milionë, aq sa organizatorët shprehen se në pritje për një biletë kanë mbetur gati 35 mijë vetë.

Lexo po ashtu Tyson Fury nuk vonon, i përgjigjet Joshuas pas fitores ndaj Klitschkos (Foto)

“Unë dua të organizoj një ndeshje boksi që të kalojë shifrën e 1 miliardë dollarëve. Këtë gjë mund ta realizoj një ditë dhe mendoj se një sfidë me Tyson Fury mund t’i gjenerojë këto të ardhura”, u shpreh më tej Anthony Joshua, kampion bote në peshat e rënda në kategoritë IBF dhe WBA, tituj që vjet i mbante Fury. “Unë argëtohem me cilindo rival që kam përballë, Klitschko, Fury apo këdo tjetër”, tha Joshua, që duket se insiston për një përballje britanikësh me Tyson Fury, në një stadium që të vendosë rekorde edhe më të mëdha shikuesish e të ardhurash. /telesport/

Exit mobile version