Telegrafi

Ansu Fati llogaritet e ardhmja e klubit, Barcelona synon ta blindojë me kontratë të re fitimprurëse

Barcelona synon ta blindojë me kontratë të re të përmirësuar sulmuesin e talentuar spanjoll, Ansu Fati.

Erling Haaland është shënjestra e madhe Barcelonës për sulmin, por klubi është njohës i faktit që Ansu Fati duhet të jetë simboli i Blaugranëve pas Lionel Messit.

Sipas gazetës Mundo Deportivo, Barcelona e ka të qartë se së bashku me nevojën për të sjellë gjak të freskët në afatin kalimtar të verës, me rëndësi kyçe për klubin është mbajtja e shërbimeve të 18-vjeçarit të talentuar Ansu Fati.

Kështu, për të mbrojtur këtë, Mateu Alemany dhe Roman Planes po kërkojnë të zgjasin marrëveshjen aktuale të Ansu Fati, e cila zgjat deri në 2022 dhe ka një klauzolë lirimi prej 400 milionë eurosh.

Plani i drejtuesve të klubit nga Camp Nou është që të zgjasë marrëveshjen e Ansu Fatit deri në vitin 2026, duke ia rritur fitimet vjetore.

Lexo po ashtu “Yjet që kanë thyer bankën” – 21 futbollistët vlera e të cilëve është rritur më shumë në vitin 2020

Kriza ekonomike ka bërë që Barcelona të ulë faturën e pagave, por Ansu nuk do të preket me uljen e pagave, por vetëm do t’ia rrisin atë.

Burimet brenda klubit katalunas thonë se drejtuesit e shohin Fatin në nivelin e Kylian Mbappe sa i përket shkathtësive dhe potencialin e tij dhe ata po presin me padurim që ai të kthehet nga mungesa e tij e detyruar shkaku i dëmtimit. /Telegrafi/