Policia e Kosovës ka konfirmuar se pas hetimeve të ankesave të disa prindërve kanë ardhë në përfundim se në Prizren nuk ka pasur ndonjë rast të “Kidnapimi”, apo “Tentim kidnapimi” të fëmijëve.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
“Ka pas ankesa të qytetarëve, policia ka angazhuar dy hetues që t’i trajtojnë ankesat e tilla, nga mbledhja e dëshmive nga dëshmitarët dhe video regjistrimet nga kamerat vëzhguese nuk ka mundur të vërtetohet se ankesa është bazuar. Pra deri më tani nuk është në Prizren nuk ka asnjë rast “Kidnapimi” apo “Tentim kidnapimi” të fëmijëve”, tha ai.
Ndryshe, lidhur me rastin për Telegrafin më herët ka folur edhe kryetari i Prizrenit, i cili tha se me rastin po merret policia. /Telegrafi/