Site icon Telegrafi

Ankesa për rrugën e pashtruar te Patriakana e Pejës – ministria thotë se çështja është në Prokurori për moskryerjen e punimeve

Rruga tek Patriakana që të dërgon në zonën turistike të Grykës së Rugovës në Pejë, ka mbetur ende e pashtruar edhe pse fillimi i punimeve në këtë pjesë ka nisur vitin e kaluar.

Në lidhje me këtë në redaksinë e Telegrafit kanë ardhur disa ankesa nga qytetarët e Pejës të cilët kërkojnë nga institucionet përgjegjëse që kjo rrugë të përfundoj pasi po krijon shumë probleme tek banorët e kësaj zone por edhe qytetarët e tjerë që vizitojnë Rugovën.

Telegrafi ka kontaktuar me zëdhënësin e Komunës së Pejës, Faik Zekaj i cili tha se kjo rrugë është në menaxhim të Ministrisë së Infrastrukturës.

“Rruga është nën menaxhimin e Ministrisë së Infrastrukturës prej Spitalit deri në Kuqisht dhe ne si komunë nuk kemi kompetenca që me intervenu në këtë rrugë jo vetëm në fillim këtu, por deri në fshatin Kuqisht”, ka thënë Zekaj.

Ndërsa, nga Ministria e Infrastrukturës thanë se operatori i përzgjedhur për ta përfunduar shtrimin e kësaj rruge nuk e merr mundin t’i kryej punët për çka është paguar.

Kështu tha në një prononcim për Telegrafin, Berat Ganiqi,  këshilltari i ministrit të Infrastrukturës, Liburin Aliu.

Sipas tij, zëvendësministri, Hysen Durmishi ka njoftuar që rastin e ka proceduar në Prokurori, por siç tha ai “akoma nuk është përfunduar si proces”.

“Në lidhje me rrugën tek Patriakana dhe përgjithësi në Rugovë, ka qenë i përzgjedhur një operator. Operatori edhe pse është paguar jashtëligjshëm i njëjti as që e merrë mundin t’i kryej punët për çka është paguar. Zv.ministri, Hysen Durmishi ju ka njoftuar që rastin e ka proceduar në Prokurori, por që akoma nuk është përfunduar si proces dhe ndoshta është mirë të pyetët edhe Prokuroria e Pejës për këtë rast. Pa pas një vendim nga Prokuroria apo gjykata nuk mundem të ndërmarrim masa tjera”, ka thënë Ganiqi.

Tutje Ganiqi theksoi se shpreh keqardhje prej banorëve të asaj ane, të cilët siç tha ai “padyshim që janë duke u dëmtuar shumë nga zvarritja e kësaj lënde në prokurori”.

Ndërkaq, Telegrafi ka pyetur edhe zyrën për informim në Prokurorinë Themelore në Pejë dhe është në pritje të një përgjigje. /Telegrafi/

Exit mobile version