Telegrafi

Anija pësoi defekt në mes të detit, Policia e Vlorës u vjen në ndihmë 28 turistëve

Pasagjerët e një anijeje turistike kanë kërkuar ndihmë nga Policia e Vlorës, pasi mjeti i tyre kishte pësuar defekt në Karaburun.

Burime nga policia bëjnë me dije se anija kishte pësuar defekt dhe ndodhej në Karaburun, përballë Gjirit të Kallogjerit, në Raguzë. Në ndihmë të tyre u nisën dy mjete lundrues, si dhe është njoftuar Reparti Special Delta, të cilët kanë dërguar mjetin lundrues BP -10.

Me mbërritjen në vendin ku ndodheshin, u është dhënë ndihmë 28 pasagjerëve, të cilët janë transportuar nga mjeti lundrues i Rexhina Grup, i cili ndodhej pranë anijes, si dhe Mjeti Lundrues BP – 05.

Anija e cila ka pësuar defekt quhet DIVA, me kapacitet maksimal 40 persona, raporton TCH.

Pasagjerët e anijes Diva, kanë zbritur në Portin e Vlorës dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Aktualisht Anija Diva ndodhet në det dhe po mbahet në mbikëqyrje nga Policia Kufitare dhe Migracionit.