Telegrafi

Anija kozmike e NASA-s shmang përplasjen me satelitin e humbur rus

Një anije kozmike aktive e NASA-s i ka shpëtuar përplasjes me një satelit rus të zhdukur në orbitën e Tokës.

Anija kozmike e NASA-s, e cila monitoron efektet e Diellit në atmosferën e Tokës dhe sateliti rus Cosmos 2221 kanë kaluar afër njëri-tjetrit në një lartësi prej rreth 600 kilometra, sipas një deklarate të lëshuar nga NASA.

Nëse do të kishte ndodhur përplasja, mund të kishte ndikuar që të nisin edhe përplasje tjera në orbitë, fenomen ky i njohur si kaskadë katastrofike, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.

Skenari i mundshëm i një kaskade në orbitën e ulët të Tokës njihet si sindroma Kessler, dhe fillimisht është përshkruar në filmin “Gravity” të vitit 2013.

Megjithëse një kaskadë e këtij lloji ende nuk ka ndodhur, shkencëtarët janë gjithnjë e më shumë të shqetësuar se numri në rritje i satelitëve dhe mbeturinave hapësinore po e bën atë të mundshëm.

Aktualisht, janë gjurmuar 30 mijë pjesë të mëdha të mbeturinave hapësinore, por ka edhe shumë të tjera të vogla të cilat shihen si kërcënim për satelitët dhe Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor.

Bëhet e ditur se, studiuesit shkencorë janë duke punuar për të zgjidhur problemin e mbeturinave hapësinore të Tokës. Një ekip shkencëtarësh australianë ka propozuar shpërthimin e tyre me laser, ndërsa Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA) planifikon t’i largojë ato me anë të një roboti.

ESA shpreson të nis misionin në vitin 2025, si një test fillestar për një operacion më të gjerë nga flota e robotëve pastrues. /Telegrafi/