Anija italiane me famë botërore, “Amerigo Vespucci”, e konsideruar si ndër anijet më të bukura në botë, ka mbërritur sot në portin e Durrësit e do të jetë e hapur për vizitorët.
Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, teksa ndau në rrjete sociale një video me pamjen mahnitëse të kësaj anije e cila është ankoruar në portin e Durrësit.
“Qysh prej vitit 1931, kjo anije me vela mbetet një ndër xhevahirët e kurorës së çmuar të Marinës ushtarake italiane”, shkroi Rama.
Kryeministri vuri në dukje se, e ndërtuar në vitet ‘20 në kantieret e Castellammare di Stabia, anija Amerigo Vespucci është kthyer në një shkollë lundruese që ka edukuar breza të tërë oficerësh. /Telegrafi/