Site icon Telegrafi

“Në vendin tonë njerëzit e mëdhenj dalkan me aq shumësi sa preshët dhe lakrat”

Nga: Faik Konica (Revista “Albania”, nr. 8, viti 10, gusht 1906)

Në Toskëri quajnë ‘njerëz të mëdhenj’ ata që kanë arritur në një shkallë të sipërme në shërbim të guvernës. Ferid Pasha, Turhan Pasha, Tahir Pasha, Rexhep Pasha, Smail Qemal Beu, Esad Pasha etj., janë, pas kokës së toskëve ‘njerëz të mëdhenj’. Kjo është mjaft e bukur. Po ka më mirë. Mësova tani shpejt se gegët thirrkan ‘xhin të mdhâj’ ata që kanë ergjend. Dodmasei dhe Terpua janë ‘xhin të mdhâj’ pas kokës së gegëve.

Unë e kam për nder dhe për lëvdatë që në vendin tonë njerëzit e mëdhenj dalkan me aq shumësi sa preshët dhe lakrat. Se në vise të tjera, nga të gjitha pemët, më e rralla është njeriu i madh. Po të marrim për tregim [shembull] një mbretëri të gjerë si Englia, shohim se ajo sot për sot nuk ka e nuk njeh ndonjë njeri të madh në gji të saj. Ka gjeneralë të mëdhenj si Lord Kitchner-in, burra-shteti të mëdhenj si Joseph Chamberlain, ‘businessmen’ të mëdhenj, si Andrew Carnegie, vjershëtorë të mëdhenj si Swinburne. Po që kur vdiq Gladstone, nuk ka më, a nuk ka akoma ndonjë ‘njeri të madh’. Në Gjermani prapë, njerëzit e mëdhenj janë të rrallë: Bismarck-u ish një njeri i madh; po kam frikë se mos nuk më besojnë kokat e Toskërisë kur t’u them se princi Von Bülow, i cili ndodhet sot në vend të Bismarck-ut shkon [shihet] vetëm për një njeri i ndershëm dhe fatmirë (“kismetlli”).

Francës, që në vdekje të Victor Hugo-së nuk i ka dalë ndonjë njeri i madh: po edhe Victor Hugo-nj ka shumë sot në Francë, por vetëm atë e quajnë të madh vjershëtor; dhe qeshin po të të shohin se ti i merrke ata për njerëz të mëdhenj. Franca, si viset e tjera që quhen të qytetëruara, e përdor me shumë masë fjalën për të cilën po kuvendojmë. ‘Njeri i madh’ ishte Napoleoni i I-rë; po megjithëse më pak i dëgjuar, njeri i madh ishte, për tregim, edhe një burrë si Dupleix, trajtori [guvernatori] i Indisë frënge.

Me të tjera fjalë, Evropa e qytetëruar quan ‘njeri të madh’ një njeri i cili, i frymëzuar me qëllime të larta dhe i zoti të ngrejë plane të gjera, ka pasur forcën e karakterit për t’i vërtetuar pak a shumë, ka përbërë një influencë përmbi kohën e tij dhe ka luajtur një rol në historinë e përbotshme.

Po ta kuptojmë edhe ne ashtu fjalën, i vetmi “njeri i madh” që ka pasur Shqipëria në kohë të reja është Skënderbeu. Sikur të vesh në një vend të qytetëruar, bie fjala në Francë, dhe të thuash se një prefekt (vali), a një nga ata që gatuajnë miliona në bursë është në sytë e tu një ‘njeri i madh’, a do që të të hedhin në portë posi një shtazë pa dinjitet, a do që të të japin [të dorëzojnë] te polica që të mbyllesh posi një i prishur mendsh i rrezikshëm? Gjer kur shqiptarët kanë për të mbetur pa kuptuar vlerën e fjalëve? Në qoftë se ky pakuptim shfaq vetëm padije, ahere sëmundja do të shërohet me kohë. Mjerisht, unë kam frikë se mos dëfton jo vetëm padije, por një mungesë më të rëndë: mungesën e dinjitetit. Një komb pa dinjitet nuk meriton, nuk mundet, të çlirohet.

Exit mobile version