Telegrafi

Anglezja e veshur më së miri frymon elegancë: Veshjet e saj nuk janë të shtrenjta, edhe pse është më e pasur se familja mbretërore

Shumëkush do të mendonte se është Kate Middleton, për sa i përket modës, por këtë herë këtë titull e ka marrë një tjetër zonjë

Akshata Murty është vajza e një prej njerëzve më të pasur në Indi dhe bashkëshorte e kryeministrit britanik Rishi Sunak.

Ajo është shpallur femra e veshur më së miri në Angli nga revista “Tatler”.

Stili i saj është përshkruar si jashtëzakonisht i rafinuar, klasik dhe femëror, ndërsa veshjet e saj janë shembulli më i mirë i nocionit luks i qetë.

Akshata thotë se ka qenë e dashuruar me modën që kur ishte fëmijë, madje ajo filloi markën e saj të modës, “Akshata Designs”, në 2011.

“Edhe si vajzë e vogël i kam dashur veshjet. Nëna ime, një inxhiniere, ishte gjithmonë e hutuar se përse do të shpenzoja kaq shumë kohë duke krijuar veshje të ndryshme”, thotë Murty, transmeton Telegrafi.

Idetë për krijimet e saj i gjen në rrugët e qyteteve në SHBA dhe në Indi.

“Mblodha një përzierje eklektike të gjërave të çuditshme që gjeta në rrugët e Mumbait dhe Los Angelesit, si dhe disa pjesë themelore. I kombinoj ato me copa fantastike nga dyqanet vintage dhe me fustane të lehta nga Alexander Wang!, thotë Murti.

Murty shkoi në Fashion Institute of Design and Merchandising” në Los Angeles, ku perfeksionoi njohuritë e saj të modës.

Akshata është vajza e njeriut të gjashtë më të pasur në Indi, miliarderit N.R. Narayana Murty, e cila është bashkëthemeluese e kompanisë së suksesshme IT Infosis. Edhe revista indiane “Times” e shpalli atë një nga sipërmarrësit më të mirë të Indisë.

Akshata ka punuar në financa dhe marketing për shumë vite, por ajo e la atë fushë dhe iu drejtua dashurisë së saj të madhe – dizajnit të modës. Ajo sot drejton shtëpinë e modës “Akshata Designs”, dhe siç thotë, për të nuk ka rëndësi fitimi, sepse biznesin e drejton nga dashuria e pastër.

Ekspertët e modës thonë se stili i Akshata është në gjurmët e legjendares Jackie Kennedy. Edhe pse ajo nuk mban kapele apo perla si ajo, kombinimet e saj të modës janë një shembull i bukur i stilit bashkëkohor me një prekje personale.

Akshata doli në qendër të mediave kur filloi të shfaqej në publik me veshje shumë të shtrenjta. Por kur ajo dhe burri i saj u kritikuan për këtë, Akshata bëri një ndryshim në modë. Tani më së shumti shfaqet në disa gjëra më të lira, por me shumë shije.

Raporte të shumta pretendojnë se Akshata Murty është shumë më e pasur, madje edhe më e pasur se mbretëresha e ndjerë Elizabeth II. Sipas Indeksit të Miliarderëve të Bloomberg, pasuria e saj totale është 1.2 miliardë dollarë, që është rreth 1.06 miliardë paund. Kjo e bën këtë grua indiane më të pasur se familja mbretërore.

Familja e saj gjithashtu ka një sipërmarrje të përbashkët prej 900 milion £ në vit me Amazon dhe aksione në një firmë të drejtuar nga shefi italian i kuzhinës Jamie Oliver, si dhe në zinxhirin e ushqimit të shpejtë Wendy’s në Indi.

Që kur i shoqi u bë kryeministër, ajo ka pritur mysafirë të shquar në një sërë kombinimesh elegante. Kështu që tani, edhe pse është më se e qartë se ajo mund të përballojë veshjet e stilistëve më prestigjiozë, e shohim më së shumti me veshje me çmime mesatare. /Telegrafi/