Site icon Telegrafi

Anglezi u zemërua me fqinjën për shkak të mbeturinave, i hodhi benzinën në banesë – i vuri flakën asaj dhe fëmijëve

Një burrë nga Anglia, i cili vrau një nënë dhe dy vajzat e saj të vogla duke i vënë flakën banesës së tyre duke derdhur benzinë ​​në kutinë e postës së tyre, është shpallur fajtor për vrasje të trefishtë.

Më 20 nëntor të vitit të kaluar, Jamie Barrow shkaktoi qëllimisht një zjarr në banesën e Fatoumatte Hydare në Clifton, Nottingham, transmeton Telegrafi.

Fatimah (3) dhe Naimeh (1) vdiqën menjëherë nga zjarri, ndërsa nëna e tyre vdiq në spital dy ditë më vonë për shkak të thithjes së tymit.

Barrow (31) tashmë e ka pranuar vrasjen nga pakujdesia, por trupi gjykues sot unanimisht e shpalli fajtor për vrasje me dashje dhe zjarrvënie, shkruan Daily Mail.

Prokurorët argumentuan gjatë gjyqit se Barrow u largua nga ndërtesa pasi shpërtheu zjarri, dhe se ai e dinte se viktimat ishin në shtëpi sepse karroca ishte jashtë derës dhe drita ishte ndezur në korridor.

Ata thanë gjithashtu se është ankuar vazhdimisht për mbeturinat e lëna para banesës.

I pandehuri ka pirë shtatë ose tetë kanaçe birrë para se të fillonte zjarrin dhe nuk bëri asgjë për të ndihmuar Fatoumatte dhe vajzat e saj, të cilat ndodheshin në apartamentin e katit të parë, thanë prokurorët.

Barrow tha gjatë gjyqit se nuk mund të shpjegonte pse vendosi t’i vinte flakën banesës së fqinjit, por mendonte se nuk kishte njeri brenda.

Ai shtoi se nuk e priste që zjarri të përhapej kaq shpejt dhe se menjëherë ka rrëfyer gjithçka në polici pikërisht sepse e kishte brejtur ndërgjegjja. Ai do të dënohet të premten. /Telegrafi/

 

Exit mobile version