“Alokimi i mjeteve atje ku do të ketë efikasitet më të madh dhe ku mund të arrihen efekte më të mëdha ekonomike, është qëllimi i ribalancit të propozuar të Buxhetit, që prej sot është në rend dite të Komisionit kuvendor amë për financim dhe buxhet”.
Këtë e tha Ministrja e Financave Nina Angelovska, për të cilën ky është dokumenti i parë i rëndësishëm që e elaboron para deputetëve. Ajo shtoi se me të sigurohet sistemi i një pjese më të madhe të të ardhurave publike te qytetarët, investim direkt në nevojat dhe potencialet e njerëzve dhe përkrahje e fuqishme financiare për biznesin për hapjen e vendeve të reja të punës dhe pagesa të pagave më të larta në sektorin privat dhe për të gjithë punëtorët, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Nga ky ribalanc për qytetarët sigurojmë përkrahje për paga më të larta për të punësuarit në sektorin privat, paga më të larta për të punësuarit në administratën publike, më shumë mjete për përkrahje të masave aktive për punësim të qytetarëve të papunë, dhe përfundimisht, për më pak se tre muaj për herë të parë qytetarëve do t’u kthehen paratë e para përmes projektit TVSH-ja Ime. Ndërsa ky nuk është përfitimi i vetëm nga ky projekt, sepse përmes projektit TVSH-ja Ime qytetarët direkt e ndihmojnë luftën për zvogëlim të ekonomisë gri”, theksoi Angelovska.
Ajo shtoi se qëllimet e parashtruara për vitin 2019 tërësisht janë kahëzuar në funksion të arritjes së prioriteteve kyçe të shoqërisë: shkallë më të larta të rritjes së ekonomisë, rritje të punësimit produktiv, ngritje të standardit jetësor të popullatës, arritje të nivelit më të lartë të së drejtës sociale dhe intensifikim të proceseve integruese për BE-në dhe NATO-n.
Përkujtoi se nga 1 shtatori hyn në fuqi rritja e re prej pesë për qind e pagave në administratën publike, shëndetësi, arsim, kopshte, polici, kulturë, mbrojtje dhe veprimtari tjera në administratën publike./Telegrafi/