Përfaqësuesja e Kosovës ka zhvilluar sot seancën e tretë stërvitore në kuadër të përgatitjeve në Katar për miqësoren me Suedinë, që zhvillohet të dielën, në Doha.
Stërvitja e sotme ka nisur me ushtrimet e zakonshme fizike, vrapim dhe lojë në hapësirë të vogël me pasime të shpejta. Më pas përzgjedhësi Challandes ka punuar në skemat taktike dhe në lojën me presion të lartë, duke i dhënë vazhdimisht instruksionet e tij për futbollistët.
Gjendja e lojtarëve është shumë e mirë dhe motivi i secilit prej tyre është maksimal, derisa vërehet edhe dëshira e lojtarëve që janë për herë të parë pjesë e Kosovës për t’i dëshmuar vlerat e tyre.
Stërvitjen e fundit para duelit me suedezët, Dardanët, do ta zhvillojnë nesër (e shtunë) pasdite.
Blend Baftiu
Është një ndjenjë e veçantë dhe e papërshkrueshme, por njëherësh edhe përgjegjësi të jesh pjesë e Kombëtares A. Është hera e parë për mua që kam marrë ftesë nga përzgjedhësi Challandes dhe po ndjehem shumë mirë në mesin e bashkëlojtarëve. Stërvitjet po shkojnë shumë mirë, prandaj besoj që do të kemi paraqitje të mirë kundër Suedisë. Të gjithë lojtarët janë të motivuar dhe angazhimi i secilit në stërvitje është maksimal. Për këtë arsye pres që të kemi një prezantim sa më të mirë në ndeshjen e së dielës. Normalisht që ëndërr dhe synim i imi është që edhe në të ardhmen të jem pjesë e Kombëtares A.
Arbër Hoxha
Pikësëpari falënderoj përzgjedhësin Challandes që më ka grumbulluar për këtë miqësore. Sigurisht se të jesh pjesë e Kombëtares A është një ndjenjë e papërshkrueshme dhe shpresoj që të jap më të mirën time nëse më jepet rasti të paraqitet kundër Suedisë. Mua më mbetet të vazhdoj të punoj maksimalisht dhe pse jo në të ardhmen të luaj edhe në ndeshje kualifikuese. Kushtet për stërvitje këtu janë shumë të mira dhe kjo po na jep mundësi për t’i treguar cilësitë tona para përzgjedhësit. Sigurisht se ndeshja kundër Suedisë do të jetë shumë e vështirë, duke pasur parasysh se në radhët e veta kanë futbollistë cilësor, por ne shpresojmë që do të paraqitemi denjësisht dhe ta fitojmë këtë ndeshje.
/Telegrafi/