Telegrafi

Anëtarët e LVV-së në KQZ letër PZAP-it, reagojnë kundër Valdete Dakës

Anëtarët e Vetëvendosjes në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Alim Rama dhe Sami Kurteshi i kanë shkruar letër Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, rreth veprimeve të fundit të kryetares së KQZ-së, Valdete Daka.

Në letër thuhet se vendimet e Dakës rreth moscertifikimit, janë në kundërshtim me përgjegjësit e KQZ-së, transmeton Telegrafi.

“Kryesuesja e KQZ-së, Valdete Daka, në mënyrë arbitrare dhe të kundërligjshme pa rekomandimin e ZRPPC dhe pa vendimin e KQZ, ka hartuar së pari arsyetimet në vendimet e KQZ-së për moscertifikimin e subjekteve politike dhe të listave të tyre për kandidim”, thuhet në letër.

Ndryshe, KQZ javën që lamë pas nuk ka certifikuar listën e kandidatëve për deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje, për shkak që sipas listës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës, lista e tyre ka kandidatë që kanë qenë të dënuar në tri vitet e fundit.

Për këtë, LVV ka dorëzuar ankesë në PZAP, por që ende nuk është marrë ndonjë vendim. PZAP ka sot afatin e fundit që të vendos për ankesat e subjekteve politike që nuk janë certifikuar. /Telegrafi/