Site icon Telegrafi

Anëtarët e KSHZ-së me reagim publik: Kemi presione dhe kërcënime nga partitë politike

Kryetari dhe pesë anëtarë të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve kanë frikë për sigurinë e tyre. Në një kumtesë publike, ku janë nënshkruar kryetari Aleksandar Dashtevski, Radica Risteska, Oliver Ristovski, Boris Kondarko, Boban Stojanoski dhe Abdush Demiri, ata thonë se janë të shqetësuar nga deklaratat e partive politike dhe zyrtarëve të lartë të pushtetit pas anulimit të votimeve nga KSHZ në shtatë vendvotime.

Reagimi me shkrim nuk është nënshkruar nga nënkryetarja Ditmire Shehu, e cila përfaqëson partinë BDI në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve.

“Përveç që jemi poshtëruar dhe fyer personalisht, edhe si anëtarë të institucionit më të lartë për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, jemi të ekspozuar edhe ndaj presioneve të pabaza dhe të papërshtatshme politike publike dhe kërcënimeve për përgjegjësi penale për shkak të vendimeve të KSHZ-së. Duke ndjekur kontekstin dhe intensitetin e sulmeve, sharjeve dhe fyerjeve, jemi të shqetësuar edhe se është e mundur që ato të kthehen në sulme personale ndaj sigurisë sonë”, thuhet në komunikatën e KSHZ-së.

Kërcënimet e para për kallëzime penale kundër anëtarëve të KSHZ-së erdhën nga Fronti Evropian i udhëhequr nga BDI në ditën kur Komisioni filloi shqyrtimin e kundërshtimeve.
Kryeministri teknik Xhaferi mbrëmë ka akuzuar se KSHZ-ja është duke bërë inxhiniering zgjedhor pas së cilës sipas tij, kishte marrëveshje ndërpartiake për votim dhe mbivotim derisa po shqyrtoheshin kundërshtimet.

KSHZ-ja thekson se procesi ka qenë i ligjshëm dhe i mbështetur me dëshmi të arsyetuara për anulimin e votimit në shtatë vendvotime.

“Për KSHZ-në janë të papranueshme sulmet, presionet dhe ndërhyrjet e partive të caktuara politike dhe individëve nga Qeveria teknike në procedurat zgjedhore, si dhe në punën dhe vendimmarrjen e KSHZ-së dhe Gjykatës Administrative”, thonë nga KSHZ./Telegrafi/

Exit mobile version