Financimi i fushatës politike, sipas ndryshimeve të reja të Kodit Zgjedhor ishin një nga çështjet kryesore të takimit që anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve e mbajtën dje me ministren e Drejtësisë, Renata Deskoska, përfaqësues të Entit Shtetëror të Revizionit dhe Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.
Sipas kumtesës së KSHZ-së të publikuar në web-faqen e tyre, në takim ishte konfirmuar se për çështjen e njëjtë do të mbahet takim i ri pune, në të cilin duhet të marrin pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Financave.
“Duke pasur parasysh se janë miratuar ndryshime dhe plotësime të Kodit Zgjedhor, qëllimi i këtij takimi ishte që të gjendet mënyrë që tu përgjigjemi më së miri sfidave të reja të cilat dalin dhe me të cilat do të përballen gjatë mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vitin 2020”, bëhet e ditur në kumtesën e KSHZ-së.
Sa i përket të gjitha çështjeve dhe aktiviteteve për realizimin e ciklit zgjedhor, KSHZ-ja në takimin e punës iu kishte thënë të pranishmëve se është në dispozicion dhe bashkëpunim në kuadër të kompetencës së tij.