Site icon Telegrafi

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, Gërvalla: Nuk ka dilemë, i kemi siguruar votat

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka raportuar sot para Komisionit për Punë të Jashtme.

Gërvalla ka thënë se votat për anëtarësim i kanë siguruar dhe nuk duhet të kalojë edhe shumë kohë që aplikacioni i Kosovës të kalojë nga Komiteti i Ministrave në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Në Këshillin e Evropës që nga maji i vitit 2022 kur kemi dorëzuar kërkesën tonë ka pasur lëvizje lidhur me kërkesën tonë. Është një opinion ligjor që është prezantuar në tetor të vitit të kaluar, i cili ka hequr dilemat rreth asaj se a shkel rregullat e brendshme të KiE aplikimi ynë. Ka pasur një raportim që është kërkuar nga Komiteti Ministror i cili në Strasburg përfaqësohet nga ambasadorët e shteteve anëtare për të drejtat e njeriut në Kosovë, i cili po ashtu ka qenë pozitiv për ne”, ka thënë kryediplomatja.

Ministrja e Punëve të Jashtme, ka deklaruar se kanë pasur konsultime të ndryshme të Presidencës së Këshillit të Evropës me shtete të ndryshme, duke përfshirë edhe shtetet jo njohëse.

“Çfarë ka ndodhur ndërkohë është se askush nuk ka dilemë që votat i kemi të siguruara, kjo ka qenë sfida kryesore që partnerët tanë kanë menduar se do të jetë më e madhja, sigurimi i votave të nevojshme për të pranuar kërkesën tonë. Votat janë siguruar dhe unë mendoj që nuk duhet të kalojë edhe shumë kohë, pasi janë shterur të gjitha procedurat për të kaluar kërkesën tonë nga Komiteti Ministror tek Asambleja Parlamentare e KiE”, tha ajo.

Lexo po ashtu A janë siguruar votat në Këshillin e Evropës, analistët: Vonesat në procesin e anëtarësimit nuk janë lajm i mirë për Kosovën

Ministrja po ashtu ka ka bërë të ditur që së shpejti do të ndryshojnë çmimet nëpër ambasada, duke ulur çmimet për shërbimet që marrin qytetarët.

“Çmimet janë shumë të larta, i paguajnë mbi 1 mijë euro për t’u pajisur me këto pasaporta, do të ndryshojë çmimorja rreth shërbimeve nëpër ambasada”, u shpreh ministrja.

Gjatë raportimit, ministrja ka pasur edhe një përplasje me deputeten e AAK-së, Time Kadrijaj rreth ministrit Martin Berishajt.

Anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme nga AAK-, Time Kadrijaj akuzoi ministren lidhur me emërimin e ambasadorëve.

“Ju e mbani një ambasador të korruptuar që është Martin Berishaj që është turp i Kosovës dhe i kësaj qeverie”, tha deputetja Kadrijaj.

Ndërsa, ministrja Gërvalla mohoi akuzat e deputetes.

“As 30 % e ambasadorëve nuk janë të emëruar politikë. Ka qenë krejt ndryshe në kohën kur ju keni mbajtur pushtetin. Për ambasadorin Martin Berishaj, ju që më së shumti bërtisni e dini shumë mirë se çfarë padrejtësie i është bërë, dhe sa shumë gënjeni”, theksoi ajo. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version