Site icon Telegrafi

Anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës, presidentja Osmani me mesazh për anëtarët e Asamblesë Parlamentare pak orë para votimit 

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE) ka sot në rend dite çështjen e anëtarësimit të Kosovës në KiE.  

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në një postim në platformën X shkruan se sot anëtarët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kanë mundësi të dërgojnë një mesazh të fuqishëm se Evropa qëndron e fortë në përkushtimin e saj ndaj demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

“Sot, anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës u jepet mundësia të dërgojnë një mesazh të fuqishëm se Evropa qëndron e fortë në përkushtimin e saj ndaj demokracisë dhe të drejtave të njeriut! Kushdo që beson vërtet në një të ardhme që mbështet këto vlera do të votojë në favor të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”, shkruan e para e shtetit.

Ndryshe, Besnik Tahiri, pjesë e delegacionit të Kosovës ka shkruar se këto ditë janë historike për vendin tonë.

Në platformën “X”, ai shkruan se në ora 16:00 do të zhvillohet debat për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ku raporti i Dora Bakoyannis duhet të marrë 2/3 e votave të anëtarëve prezentë, transmeton Telegrafi.

“Të martën, më 16 prill 2024, mbahet takimi i Asamblesë Parlamentare. Ky sesion pranveror i Asamblesë Parlamentare i Këshillit të Evropës është i një rëndësie historike. Këtë ditë, diku rreth orës 16:00, do të zhvillohet debat për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Në këtë sesion do të diskutohet raporti i znj. Dora Bakoyannis, i cili duhet të marrë 2/3 e votave të anëtarëve e prezentë”, shkruan ai. /Telegrafi/

Exit mobile version