Në vitin 2018 Kosova kishte aplikuar për anëtarësim në INTERPOL.
Por, me 68 vota për, 51 kundër dhe 16 abstenime, vendi nuk ishte pranuar në këtë organizatë ndërkombëtare të sigurisë.
Që nga ajo kohë, nuk është ndërmarrë ndonjë hap për aplikim në këtë mekanizëm.
Në një përgjigje për tëvë1, Policia e Kosovës thotë se i plotëson të gjitha kriteret, por që aplikimi është në duart e ministrive.
“Policia e Kosovës plotëson të gjitha kriteret teknike dhe profesionale dhe është e gatshme për të qenë pjesë e INTERPOL-it. Ndërsa, çështjet e procesit të aplikimit nuk bien në domenin e PK-së dhe duhet adresuar në ministritë përkatëse”, thonë nga PK-ja.
Televizioni ka tentuar të marrë informacione rreth ecurisë së kësaj çështjeje, por nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk kanë kthyer përgjigje.
E ish-drejtori i Policisë anëtarësimin në këtë organizatë e lidhë me dialogun me Serbinë.
“Nuk shoh ndonjë lëvizje progresive drejt anëtarësimit në INTERPOL pa pasur përparim në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo është fatkeqësi e madhe”, ka thënë ai duke shtuar se aplikimi duhet të bëhet në koordinim me aleatët ndërkombëtarë”, thotë Rashit Qalaj.
Kurse, eksperti i sigurisë tregon se mosanëtarësimi në INTERPOL i shkakton probleme Policisë së Kosovës.
“Kosovës i sjell shumë probleme në kuptimin se edhe pse kemi qasje në INTERPOL përmes zyrës së UNMIK-ut, por ai është një proces i ngadaltë dhe nuk tregon subjektivitetin e duhur të Kosovës”, thotë Nuredin Ibishi.
Interpoli është organizata më e madhe e policisë globale, e përbërë nga 194 vende anëtare.