Pas nënshkrimit të kërkesës nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi për anëtarësimin e Komunës së Mitrovicës Veriore në Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK), mbetet që organet e AKK ta shqyrtojnë atë.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka bërë të ditur se kërkesën e kanë pranuar një ditë më parë (e martë).
Sipas tij, pas pranimit të kërkesës nga ana e Komunës së Mitrovicës së Veriut, organet e AKK-së do të ndërmarrin veprimet e domosdoshme.
“Po, dje e kemi pranuar kërkesën.Tani, pas pranimit të kërkesës nga ana e komunës së Mitrovicës së Veriut e cila është shqyrtuar nga MAPL, janë organet e AKK që do ndërmarrin veprimet e domosdoshme për shqyrtimin e kërkesës së komunës në fjalë”, ka thënë Ibrahimi.
Ibrahimi gjithashtu theksoi se Asociacioni i Komunave të Kosovës do t’i përmbahet dispozitave statutare në mënyrë që të bëjë veprime të përgjegjshme sa i përket shqyrtimit të kërkesës së Komunës së Mitrovicës së Veriut për anëtarësim në AKK.
Ndryshe, Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut tri javë më parë votoi pro anëtarësimit të kësaj komune në Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK). /Telegrafi/