Site icon Telegrafi

Anëtarësimi i Ballkanit në BE, Lajçak: Kemi momentum të ri që nuk duhet humbur

Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak po merr pjesë në Konferencën e Paqes dhe Rritjes së Qëndrueshme në Athinë.

Ai në një postim në rrjetin social X ka ndarë detaje nga ato që ai kishte diskutuar në këtë konferencë.

“I pyetur për perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor dhe rëndësinë e tij për të ardhmen në BE në Konferencën e Paqes dhe Rritjes së Qëndrueshme në Athinë, theksova se kemi një momentum të ri, i cili nuk duhet humbur”, ka shkruar diplomati sllovak.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina – janë në faza të ndryshme të procesit të pranimit në BE.

Rruga është e gjatë – ato duhet t’i përafrojnë ligjet me ato të BE-së dhe të dëshmojnë se institucionet dhe ekonomitë e tyre i përmbushin normat demokratike.

Procesi ka shkuar shumë ngadalë, por pas pushtimit rus të Ukrainës, BE-ja ka ndarë një paketë prej 6 miliardë eurosh për t’i ndihmuar ato si në reforma, ashtu edhe për t’u larguar nga ndikimi rus.

Sondazhe të ndryshme të opinionit tregojnë se mbështetja publike për anëtarësimin në BE është ndryshe-ndryshe në të gjithë rajonin – Kosova dhe Shqipëria zakonisht kanë rezultate më të larta, ndërsa Serbia më të ulëta.

Një sondazh i kryer nga Ipsos në Serbi, i publikuar në prill të vitit 2022, ka gjetur se 44 për qind e pjesëmarrësve kanë qenë kundër anëtarësimit të Serbisë në BE dhe 35 për qind pro. Kjo ka qenë hera e parë që në këtë vend kanë mbizotëruar pikëpamjet negative.

Po atë vit, një sondazh tjetër ka treguar se Mali i Zi është më i mirëprituri në BE, ndërsa Kosova më së paku.

Sot, kanë kaluar më shumë se dy dekada nga Samiti i Selanikut, ku vendeve të Ballkanit Perëndimor u është premtuar e ardhme evropiane.

Afati i 2030-ës që është përmendur nga Charles Michel, është mjaft afër për t’i joshur ato që të bëjnë sa më shumë investime politike për t’u përafruar me BE-në.

Por, është ndoshta edhe zile zgjimi për vetë BE-në që “thirrja e historisë” të mos shndërrohet në një shans të humbur historik./Telegrafi/

Exit mobile version