Ish-ylli francez, Nicolas Anelka ka thënë se vendimet e Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos për t’u transferuar te Paris Saint-Germain dhe Manchester United nuk kanë qenë ‘inteligjente’ dhe nuk do të kishte qenë turp që të dy të varnin këpucët në gozhdë.
Ylli argjentinas dhe ai portugez tronditën verën e kaluar kur u transferuan në ekipe të reja, me të parin që i dha fund karrierës së tij të përjetshme në Barcelonë për të kaluar në Parc des Princes dhe ky i fundit duke e refuzuar Manchester Cityn për një rikthim në Old Trafford.
Por, fatet kanë qenë të përziera, me të dy të eliminuar nga Liga e Kampionëve, dhe tani ish-fituesi i Kupës së Botës, Anelka, ka peshuar provat e tyre, duke deklaruar se ata duhet të kishin zgjedhur destinacione më të lehta, si Kina, për të përfunduar karrierën nëse insistonin të luanin ende.
“Kjo është ajo që ndodh me lojtarët që duan të luajnë më gjatë. Karriera e tyre ka përfunduar dhe mendoj se të dy duhet të jenë shumë të lumtur me atë që kanë arritur në 15 vitet e fundit. Ishin mbi të tjerët dhe tani është normale që ta ngadalësojnë”, ka thënë fillimisht Anelka për RMC Sport.
“Unë u befasova më shumë me Messin sesa me Ronaldon, mendova se Messi do të kthehej në Francë dhe Ronaldo do të kishte më shumë vështirësi në Angli, sepse për mua Liga Premier është kampionati më kërkues në botë”.
“Ata nuk ishin inteligjentë. Ata duhet të kishin menduar të përballeshin me një sfidë më pak të komplikuar sepse ju duhet të merrni vendimet e duhura për të përfunduar në krye”.
“Ka lojtarë që nuk hezitojnë të përfundojnë karrierën në moshën 32, 33 apo 34-vjeçare në mënyrë që të mos kritikohen. Unë ndalova në moshën 36-vjeçare, por si 32-vjeçar shkova në Kinë”, përfundoi ish-sulmuesi francez. /Telegrafi/