Site icon Telegrafi

Andy Ruiz insiston që rimeçi ndaj Joshuas të zhvillohet sërish në New York

Andy Ruiz Jr dhe Anthony Joshua (Foto: Al Bello/Getty Images/Guliver)

Andy Ruiz Jr ka thënë se konfirmimi i rimeçit ndaj Anthony Joshuas është bllokuar për shkak të mosmarrëveshjes lidhur me lokacionin e përballjes.

Pas humbjes së papritur nga meksikano-amerikani, boksieri britanik e aktivizoi klauzolën për rimeç, mirëpo akoma nuk është bërë asnjë njoftim zyrtar nga asnjëra palë.

Andy Ruiz Jr në meçin ndaj Anthony Joshuas (Foto: Al Bello/Getty Images/Guliver)

Eddie Hearn ka vazhduar të thotë se nuk ka vend për shqetësime, derisa Ruiz ka treguar se arsyeja e kësaj bllokade ka të bëjë me dëshirën e tij për t’u përballur sërish në New York.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Andy Ruiz

“Ende jemi në bisedime, ata përpiqen të na çojnë atje (në Angli). Ne përpiqemi ta sjellim sërish këtu në New York. Do të ishte më komode këtu”, ka thënë Ruiz për Fox Sports.

29-vjeçari është kampion i trefishtë në kategorinë e peshave të rënda, pasi ia rrëmbeu Joshuas titujt IBF, WBO dhe WBA. Por, britaniku do ta ketë fjalën e fundit lidhur me vendin e rimeçit. /Telegrafi/

Exit mobile version