Site icon Telegrafi

“Andrra në beze” dhe “Korça sipas një kosovari” si udhëtim në kohë

Nga: Zyrafete Shala

Stili i të shkruarit dhe qasja origjinale në trajtimin e dukurive të ndryshme të mjedisit tonë, me theks të veçantë te ato kulturore, nuk është e vështirë të dallohen në cilindo shkrim të publicistit Agron Shala. Megjithatë, me dy librat e tij “Andrra në beze” (2018) dhe “Korça sipas një kosovari” (2019), botuar nga Armagedoni, ai tërheq brenda një bote përplot informacione, një bote që mundëson rrugëtimin nëpër kohë, në shoqëri të kryeveprave të artit, nga e cila lexuesi del ndryshe, i transformuar dhe i pasur me njohuri. Jo rastësisht, të dy këta libra janë vlerësuar lart nga njohësit e kulturës dhe letërsisë, por edhe nga lexuesit, të cilët sado që jetojnë në një epokë që karakterizohet me vërshime botimesh nga të gjitha zhanret, prapë se prapë duhet të jenë të vëmendshëm se me çka po e shpenzojnë kohën e tyre.

Libri “Andrra në beze”, është përmbledhje me njëzet ese nga kultura, në të cilat, siç sugjeron vetë titulli, pikënisje është analiza e filmit, për të vazhduar më tej me gërmimet e autorit nëpër fushat e tjera të veprimtarisë e dijes njerëzore, fusha këto që pikëtakohen dhe dialogojnë mes tyre. Përmes gërshetimit të zhanreve, Agron Shala arrin të trajtojë një lëndë të gjerë nga fushat e kulturës, filozofisë, psikologjisë, sociologjisë, religjionit e historisë, përmes të cilave i qaset dhe e ndriçon të tanishmen. Ai nxjerr personalitete nga periudha të ndryshme të së kaluarës, të tillë që kanë lanë gjurmë të pashlyeshme, por edhe të tjerë që koha i ka mbuluar me vellon e harresës, i përafron veprat e tyre, i krahason, hedh një dritë të re mbi to, për të nxjerrë pastaj përfundime të vlefshme mbi natyrën e qenies njerëzore dhe mendësisë shqiptare, që sa vjen e bëhet më komplekse.

“Kush vret?” – është pyetja që autori e shtron që në esenë e parë, një pyetje në dukje e thjeshtë, por që kërkon njohje të strukturave të thella të psikës humane. Por, shqetësimi i autorit nuk përfundon këtu, ai shkon përtej kësaj për të arritur te pyetja tjetër edhe më provokuese: “A mund të vrasë artisti?”. Pas elaborimit të tezave që ofrohen si përgjigje të mundshme, ku parakalojnë artistë eminentë dhe kundërshtarë të tyre nga shekuj të ndryshëm të historisë, Shala kthehet në aktualitetin shqiptar. Mirëpo, kur arrin në këtë pikë ai nuk përpiqet të zbulojë potencialin vrasës të artistit shqiptar, përkundrazi, ai sugjeron se në mjedisin tonë mediokrit vishen me petkun e artistit për ta vrarë artin vetë… dhe ky përfundim është një përshkrim i dhimbshëm i fatit të krijuesit te ne, që duket se ende nuk mund të çlirohet nga mallkimi: “U bëfsh e mos paç ku me u bo”.

Në librin “Andrra në beze” nuk thyhen vetëm kufijtë e zhanreve, thyerja këtu merr përmasa më të mëdha. Në esetë e Agron Shalës, thyhen kufijtë e kohërave, disiplinave, ndasitë mes etnive, dallimet në kultura, madje thyhen edhe kufijtë e rrjedhës lineare të mendimit e të narracionit, që na paraqiten ndryshe nga siç jemi mësuar t’i gjejmë në shkrime të tjera. Mënyra e rrëfimit është e tillë që shpeshherë krijon përshtypjen e rrjedhës spontane të asociacioneve, por edhe të përafrimit të episodeve që fillimisht dalin të fragmentarizuara, por në fund bashkohen duke krijuar një kolorit impresionues. Me këto veçori “Andrra në beze” shfaqet si një univers unik ku vlerësimi final i çdo problematike bëhet nga këndvështrimi i artit.

Një mënyrë të tillë rrëfimi gjejmë edhe në librin e dytë “Korça sipas një kosovari”, ku Korça na shfaqet me tërë madhështinë e një qyteti të lashtë, që sjell në kohën tonë gjurmët e shekujve të largët. Libri, në kontura të përgjithshme është i konceptuar si një udhëpërshkrim, që hapet me nisjen, vazhdon me arritjen në destinacion dhe përmbyllet me kthimin. Mirëpo, ky udhëtim, apo kjo rrugë në dukje e shkurtër, del të jetë jo zakonshme dhe hap pas hapi merr kuptimin e një udhëtimi nëpër kohë dhe nëpër epoka, duke marrë trajtën e një gjurmimi brenda shpirtit krijues kolektiv, jehona e të cilit synon të ringjallë një nga tiparet më të veçanta por edhe më të shpërfytyruara të natyrës sonë, dashurinë ndërnjerëzore dhe dashurinë për të bukurën.

I motivuar nga vargu kuptimplotë “E dimë ku po shkojmë/por nuk e dimë se ku ishim”, shpalosjen e tablosë së bukur të Korçës autori e fillon qysh nga vendosja e gurthemeleve të saj, për të vazhduar më tej me informacione të shumta rreth zhvillimit ekonomik, planit urbanistik, arkitekturës, objekteve kulturore e historike, zakoneve, personaliteteve të njohura që dolën prej aty dhe mendësinë e banorëve të këtij qyteti, që qysh herët tërhoqi vëmendjen e të huajve, për çka u bë i njohur si “Parisi i Vogël në Lindje”, epitet ky që nuk i dihet pikënisja. Mirëpo, për autorin pak rëndësi ka se kush e vlerësoi së pari Korçën me këtë epitet, vetë korçarët apo ndonjë nga personalitetet e rëndësishme të kulturës evropiane që u mahnitën me vlerat e saj. Vëmendjen e tij e tërheq fakti paradoksal, dhe natyrisht i dhimbshëm, që kultura e shtresuar brenda këtij qyteti, nuk arriti të tërheq vëmendjen e qeverive postkomuniste dhe për pasojë Korça mbeti një qytet ku ‘varfëria i doli në mbrojte kulturës’. Është kjo një e vërtetë që më së miri ilustrohet me një fjalë të urtë korçare: “Siç na dinë, qofshim; siç jemi, mos qofshim”!

Duke u ndalur te ngjarjet historike që lanë gjurmët e tyre në këtë qytet, autori arrin t’i shpleks fijet që e endin palimpsestin kulturor të Korçës. Gjatë rrugëtimit të tij, autori ndalet dhe i mbledh të gjitha veçoritë e këtij qyteti, i vendos ato si gurët e një ngrehine dhe krijon një monument madhështor të Korçës. Kushdo që e bën këtë udhëtim, në përfundim të tij do të ndihet ndryshe, sepse do të huazojë shumëçka nga historia, kultura, shpirti dhe ëndrrat e korçarëve…

Exit mobile version