Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Andin Hoti ka kritikuar shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hotin pas deklaratave të këtij te fundit se ‘formimi i një komisioni Hetimor Parlamentar për listat e fryra të veteranëve është sa për të larë veten’.
Andin Hoti përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se si është e mundur që shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti nuk skuqet kur flet për luftën para Kadri Veselit.
“Veç për kuriozitet, sepse deklaratat e z. Hoti nuk mund të merren më seriozisht, sidoqoftë, çfarë ka për tu ‘larë’ Kryetari i PDK-së për luftën para teje z. “Lider”? Si është e mundur që nuk skuqeni kur flisni para z. Veseli për luftën? Apo ndoshta, e baras vlerësoni luftën që ti e ke parë në filma, me luftën që z. Veseli e ka bërë në 1997-1999 përball paramilitarëve serb, dhe i jep vetit të drejtë të flisni për luftën? Jo, lufta e UÇK-së nuk ka qenë skenë filmi, ka ndodh në të vërtetë, para hundëve tuaja.
Nuk kanë faj, sepse ti z. “Lider” nuk mbajë mend që ke dhënë ndonjë deklaratë me përmbajtje serioze, ti s’e flet të vërtetën, e madje gënjen edhe hapur publikun kur mediat i ke para vetes. (Ne Lidhja Demokratike e Kosovës NUK do të marrim pjesë më në asnjë votim…) frazë tjetër jo serioze e juaja, që e kam dëgju me dhjetëra herë në Kuvend. Rrahja brenda anëtarësisë së LDK-së në Degën e Mitrovicës si tu duk, kush fitoj në atë ‘duel’? Oh, harrova “spaske” qenë aty! Teknologjia të zuri në rrenë edhe këtu”, ka shkruar Hoti.
Ndërsa Avdullah Hoti, ka thënë se nuk do të merret me Andin Hotin, për shkak të respektit që ka për babain e tij, Ushkin Hotin.
“Gjuhën që Andini po e përdor ndaj meje unë nuk mund ta përdor ndaj tij. Andini është djali i një njeriu të madh të Kosovës dhe të Rahovecit. Për hire të babës së tij, unë do ta ruaj respektin për Andinin dhe do ta kursej”, ka shkruar Avdullah Hoti në Facebook./Telegrafi/