Carlo Ancelotti është deklaruar rreth fitores së Real Madridit në udhëtim te Barcelona me rezultat 2-1.
Golat për Los Blancos i shënuan David Alaba e Lucas Vazquez, ndërsa për katalunasit realizoi Sergio Aguero.
Pas ndeshjes trajneri italian, Carlo Ancelotti është shfaqur i kënaqur me performancën e skuadrës së tij edhe pse pranon se vuajtën përballë Barçës.
“Vuajtëm sot, mendoj që Barcelona do luftojë për titullin e La Ligas deri në fund. Zhvilluam lojë inteligjente. Goditja e topit është një ndër kualitetet më të mira të Alabas dhe e goditi mirë”, ka thënë ai pas ndeshjes.
“Lojtarët e mi janë më të rehatshëm në 4-3-3, Vini dhe Rodrygo luajtën shumë mirë. Asensio ishte i rëndësishëm te goli i dytë”.
“Objektivi është të punojmë më shumë se bashku, mund të garojmë me të gjithë. Vuajtëm sot, por nuk e humbëm kontrollin”.
Tutje, Ancelotti gjithashtu konfirmoi se portieri Thibaut Courtois është në gjendje të mirë: “Courtois ndjeu dhimbje pas gjuajtjes, dukej serioze, por u përmirësua. Mendoj që është mirë tani”.
Pas javës së dhjetë, Real Madridi është rikthyer në krye të tabelës me 20 pikë, aq sa kanë edhe Sevilla e Real Sociedadi, ndërsa Barcelona është në të tetin me pesë më pak.
Në xhiron e 11-të, madrilenët takohen me Osasunën, derisa katalunasit do të kenë punë me Rayo Vallecanon. /Telegrafi/