Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti pranon se skuadra e tij mund të pësojë më shumë ndryshime me disa largime të mundshme këtë verë.
Ancelotti është i lumtur me skuadrën e tij të Real Madridit ashtu siç është, por ka rritur mundësinë që Marco Asensio ose Dani Ceballos të largohen nga klubi para përfundimit të afatit kalimtar të verës.
Duke diskutuar mbi dy lojtarët gjatë një konference për shtyp të shtunën, ai vlerësoi etikën e tyre të punës dhe tha se të dy janë në planet e tij.
Por, trajneri i Los Blancos pranoi se lojtarët mund të shtyjnë për një largim para mbylljes së afatit kalimtar me 1 shtator.
“Në këtë moment, në këtë kohë ata janë të dy ende këtu dhe punojnë mirë”, ka thënë fillimisht Ancelotti për dy spanjollët.
“Por, nëse diçka ndryshon në kokën e tyre, ne do të përshtatemi”.
“Kemi një skuadër të thellë, ne duam t’u japim minuta të gjithë lojtarëve dhe kemi një Kupë Bote në mes. Pra, ne do të rrotullojmë më shumë se sezonin e kaluar”, përfundoi trajneri i Los Blancos. /Telegrafi/