Telegrafi

Ancelotti këmbëngul se veterani i Real Madridit mund të mbetet pjesë e ekipit sezonin e ardhshëm

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ka insistuar se Nacho Fernandez mund të mbetet pjesë e klubit përtej sezonit aktual, mes thashethemeve lidhur me të ardhmen e tij.

34-vjeçarit i skadon kontrata në fund të sezonit dhe gjatë muajve të fundit ishte lidhur fort me një largim nga kryeqyteti spanjoll.

Klubi i fundit që mendohet se ka shprehur interesim për Nachon është Inter Miami, dhe nuk ka vend për dyshime se MLS është një opsion që zgjon interesim për spanjollin, megjithatë Ancelotti ka thënë se ka një mundësi që Nacho mund të qëndrojë.

“Ai nuk ka vendosur ende, ne po presim, por nuk jemi me nxitim. Pas përfundimit të sezonit ai do të jetë në gjendje që të vendosë se çfarë dëshiron të bëjë sezonin e ardhshëm. Tani ideja e tij është që të mundohemi ta fitojmë të 15-ën”, ka thënë Ancelotti.

Lexo po ashtu Ylli i Real Madridit mund të bëhet bashkëlojtar i Messit tek Inter Miami

Më herët gjatë kësaj jave ishte raportuar se mesfushori i Castillas, Mario Martin, synon që të luftojë për një vend në ekipin e parë sezonin e ardhshëm, me largimin e Toni Kroos në horizont.

“Ai po zhvillohet shumë mirë dhe mund të jetë pjesë e ekipit pa asnjë problem. Ai ka kualitet dhe një sjellje të mirë. Ai, si lojtarët e tjerë të rinj, mund të mendojë për një të ardhme në të cilën ai është pjesë e ekipit të parë”, është shprehur italiani.

Në rast se Nacho me të vërtetë vendos që të largohet në fund të sezonit, atëherë besohet se Rafa Marin i cili momentalisht është në huazim tek Alavesi, do ta zë vendin e tij në ekip./Telegrafi/