Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti ka konfirmuar rikthimin e dy lojtarëve nga lëndimet para ndeshjes El Clasico ndaj Barcelonës këtë fundjavë, teksa ka folur gjerë dhe gjatë për rëndësinë e derbit të madh të La Ligas.
Los Blancos luajnë në Camp Nou të dielën për El Clasicon e parë të sezonit, dhe ata e bëjnë këtë pas një fitore 5-0 ndaj Shakhtar Donetsk në Ligën e Kampionëve.
Ishte një fitore shumë e nevojshme për djelmoshat e Ancelottit pas humbjeve të njëpasnjëshme në La Liga dhe Ligën e Kampionëve para pushimit ndërkombëtar.
Duke shkuar drejt Katalunisë, Real Madridi është dy pikë përpara Barçës, por para ndeshjes, ata kanë marrë një lajm të mirë me dy rikthime në skuadër.
Eden Hazard, i cili ka qenë jashtë që nga pushimi ndërkombëtar dhe Dani Carvajal, i cili ka humbur gjashtë ndeshjet e fundit janë lojtarët që do jenë gati.
Gjatë të enjtes doli se të dy lojtarët mund të jenë të disponueshëm, dhe Ancelotti tani e ka konfirmuar atë lajm.
💬 @MrAncelotti: “#ElClásico is special and my players are focussed and up for it”
— Real Madrid C.F. 🇬🇧🇺🇸 (@realmadriden) October 21, 2021
“Ne jemi mirë dhe lojtarët janë rikthyer mirë pas ndeshjes së Shakhtarit. Mendoj se Carvajal dhe Hazard do të kthehen”, ka thënë fillimisht Ancelotti në konferencë.
“Kemi kohë për t’u përgatitur mirë për El Clasico në një nivel të mirë fizik dhe taktik”.
“Lojtarët tashmë e dinë se sa e rëndësishme është të luash në El Casico. Ne hyjmë me qetësi dhe me besim maksimal”.
“Është një ndeshje e veçantë për Spanjën dhe Clasico është ndeshja më e rëndësishme për tifozët”.
“Nuk është një lojë normale dhe mënyra ime për t’u përgatitur për të është me relaksim total dhe përqendrim maksimal”, përfundoi trajneri i Realit.
Natyrisht, Ancelotti tashmë ka përvojë me ndeshjet El Clasico, pasi ka menaxhuar Real Madridin më parë midis viteve 2013 dhe 2015. /Telegrafi/