Telegrafi

Analizë – Serie A më e baraspeshuar se kurrë

Dëshpërimi i Spalletti dhe lojtarëve pas humbjes (Getty Images)

Pas gjashtë viteve të dominimit absolut të Juventusit, e kemi harruar ndjenjën e një lufte normale për titull në Serie A. Tash është gjithçka në maje të thikës së mprehtë dhe një lëvizje e gabuar mund të të çojë në njërin apo tjetrin drejtim.

Është aq ngushtë puna në maje të tabelës sa që Interi mund të kalojë nga vendi i parë në vendin e tretë brenda 24 orëve përkundër faktit se pësoi vetëm humbjen e parë të sezonit. Milani mund ta kalojë nga një fitore 3-0 ndaj Veronas në një humbje ndaj të njëjtës skuadër me të njëjtin rezultat në Serie A pas katër ditësh. Roma mund të kalojë nga një rezultat i keq në një fitore shumë të nevojshme në 90 sekondat e fundit.

Kur situata është kaq e baraspeshuar, çelësi është që të mbahet qetësia dhe të mos rrezikohet në momentin e parë ideal. Kjo është një gjë që Interi ka dështuar ta bëjë ndër vite dhe tash e kemi testin e vërtetë për ekipin e parë të Luciano Spallettit.

Yann Karamoh gjatë një dueli me Valon Behramin (Getty Images)

Udinese nuk është ekipi që të gjithë kemi pritur e mund ta sjellë humbjen e parë për Nerazzurët që ndoshta është arsyeja pse ata vërtet e bënë këtë. Nënvlerësimi tashmë po krijohej te Nerazzurët dhe kjo u pa në mesjavën e kaluar ndaj skuadrës së Serie C, Pordenone, klub që për çudi është nga regjioni i Friulit, prej ku erdhi ndalesa e parë e zikaltërve.

Ajo që të gjithë po presim është të marrim vesh se si do të reagojë Interi – duke rigjetur përkushtimin e fillim-sezonit, apo duke u kthyer në rrëshqitjen tradicionale në muajt dhjetor-janar?

Napoli tashmë ka kaluar nëpër një krizë dhe duket se është rikuperuar në mënyrë të admirueshme. Ishte Napoli i vjetër që pamë ndaj Torinos në udhëtim me një rezultat goxha bindës. Edhe Hamsik gjeti rrjetën dhe shkroi historinë duke tejkaluar rekordin e Maradonas.

Fatkeqësisht, e pamë një Milan të njëjtë në Marc Antonio Bentegodi duke dëshmuar se lëvizjet pozitive ishin të rastësishme. Lëvizjet e Milanit ishin të zakonshme, taktikat ishin të këqija si zakonisht. Të gjithë mund të shpenzojnë 200 milionë euro dhe t’i vendosin në fushë lojtarët, por renditja e mirë nuk i bën ata një ekip efektiv.

Gjëja e madhe për Lazion është që edhe pa top golashënuesin e suspenduar, Ciro Immobile, klubi kryeqytetas po luan në të njëjtën mënyrë dhe merr rezultate të njëjta. Pikët e lëshuara duken më shumë si gabime momenti se sa një gjë normale dhe kjo është shenjë e një skuadre me identitet.

Roma ka një formë op ashtu specifike, por përshtatja e Patrik Schick në ekip nuk është aq e thjeshtë. Ai do t’ia dalë, por është pikëpyetje nëse Giallorosët kanë kohë ta presin atë. Performanca e tij ndaj Cagliarit ishte e keqe dhe goli i shënuar në fund të ndeshjes nuk e ndryshon këtë fakt.

Juventusi nga ana tjetër tregoi pedigre dhe me garat evropiane që kanë pushim, pritet që Bianconerët të vazhdojnë me fitore edhe në ndeshjet e ardhshme dhe ndoshta të stabilizojnë lidershipin.

Por, që kjo të ndodhë ata duhet të tregojnë kualitetin për Scudetto ndaj Romës, pasi këtë Bianconerët dështuan ta tregojnë në derbin ndaj Interit. /Telegrafi/