Analisti politik, Agon Maliqi, ka komentuar deklaratën e përbashkët të lëshuar të premten pasdite nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.
Maliqi ka thënë se kjo është hera e parë që liderë të vendeve të fuqishme brenda Bashkimit Evropian kërkojnë në mënyrë eksplicite që Serbia ta japë njohjen de-facto.
“Mendoj se kjo mund të jetë deklarata e parë zyrtare e fuqive të mëdha të BE-së, në të cilën Serbisë i kërkohet në mënyrë eksplicite të japë ‘njohje de-facto’”, ka shkruar analisti në rrjetin social “X”.
I think this might be the first official statement by the major EU powers in which Serbia is explicitly asked to deliver on “de-facto recognition”. https://t.co/xEcsdcNzpj
— Agon Maliqi (@AgonMaliqi) October 27, 2023
Kancelari Scholz, presidenti Macron dhe kryeministrja Meloni, kanë kërkuar që Kosova të nisë me procedurat për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas draft-statutit të propozuar nga ndërkombëtarët më 21 tetor dhe që Serbia të jetësojë njohjen de-facto.
“Me qëllim të arritjes së progresit të shpejt në zbatim, ne i bëjmë thirrje Kosovës që të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, siç përshkruhet në draftstatut, ndërsa Serbisë që të jetësojë njohjen de-facto. Formalitetet, përfshirë ato ndërlidhur me adoptimin, nuk duhet të qëndrojnë në rrugën e progresit për këtë çështje”, thuhet në letrën publike.
Duke komentuar takimet e së enjtes në Bruksel, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, liderët evropianë kanë thënë se mirëpresin angazhimin “e të dyja palëve”. /Telegrafi/