Analistët thonë se LVV në raport me partitë tjera, ka marrë shumicën e votave të numëruara deri më tani, që mund të jenë përcaktuese në krijimin e institucioneve shtetërore.
Analistët Bujar Dugolli – profesor universitar, Dorajet Imeri – politikolog, Besa Luzha – profesoreshë, Flamur Hyseni – profesor universitar, kanë diskutuar për zgjedhjet në Kosovë, me theks të veçantë, votat e mërgatës.
Bujar Dugolli tha se votat nga diaspora edhe më parë ka qenë kështu.
“Ndonëse nuk janë numëruar shumica e kutive të votave, trendi është duke shkuar në drejtim të krijimit të një shumice absolute për LVV, që mundëson shtimin e numrit të deputetëve”, tha Dugolli në RTK, derisa shtoi se mund të ketë ndryshime në mandatet e deputetëve
Ai u shpreh kritik ndaj KQZ-së në ngadalësimin e numërimit të votave.
Edhe Dorajet Imeri tha se trendi momental është i jashtëzakonshëm për LVV, sipas tij, përqindja e madhe e votave të numëruara deri më tani nga diaspora arrin mbi 80%.
“Besoj se ky trend do të vijojë edhe më tej”, u shpreh Imeri.
Për partitë tjera ai tha se nga numërimi i deritanishëm nga votat e diasporës nuk do të mund të marrin asnjë kandidat për deputetë, ndërsa shtoi se në bazë trendit të tanishëm, LVV do t’i marrë 3 mandate për deputetë.
Ndërsa Flamur Hyseni tha se fushata me diasporën ka filluar shumë më herët, veçmas në qytete ku shqiptarët gravitojnë më së shumti.
Ai theksoi se nëse vazhdon edhe më tutje në këtë trend, atëherë, votuesi në diasporë po e përsëritë votën që ka dhënë 4 vjet më parë.
“Në njëfarë mënyre po e konfirmon mbështetjen. Nëse edhe më tutje vazhdon me këtë trend, atëherë ata po dëshmojnë rol vendimtar, sepse t’i shtosh edhe 2 apo tri mandate një partie që ka 47 mandate, mundëson krijimin e një qeverie me minoritete”, tha Hyseni.
Kurse profesoresha Luzha tha se nëse arrihet 80 përqindëshi i numërimit të përgjithshëm të votave nga diaspora, LVV do të arrijë të fitojë 5 mandate, që mundëson krijimin e institucioneve shtetërore nga LVV. /RTK/