Janë bërë një muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë. Ndonëse rezultatet preliminare u shpallën po atë ditë do të thotë më 6 tetor, ende nuk është bërë certifikimi i rezultateve.
Mirëpo, edhe ky proces zgjedhor nuk kaloi pa disa parregullsi e po ashtu ankesa nga subjektet politike në PZAP.
Por, sipas njohësve të çështjes së zgjedhjeve, Kosova nuk e ka luksin që të vonojë kaq shumë rezultatet.
Profesori i së drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu, në një deklaratë dhënë Telegrafit ka thënë se këto vonesa janë humbje e madhe për vendin.
“Vonesa në shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve, do të thotë humbje e madhe për shumë arsye dhe në shumë dimensione. Në radhë të parë, qeveria e re nuk mund të krijohet sepse zvarritja është për disa mija vota, derisa pjesa dërmuese 98 për qind e votave janë numëruar në fazën e parë të shpalljes preliminare të rezultateve për disa orë. Po ashtu me këto sjellje ‘cirkuziciozus’ që po bëhen në vend, duke provuar në forma të ndryshme subjektet dhe kandidatët që të nxjerrin vjam nga pleshti, për të marr sa më shumë vota, në fakt po e dëmtojnë vendin dhe procesin”, ka thënë ai.
Sipas tij mos-shpalla e rezultatit të zgjedhjeve e ka lënë vendin pezull në vendim-marrje.
“Pra pasojat janë shumë dimensionale sepse vendi është pezull, nuk ka mundësi vendim-marrje kaq gjatë, pastaj buxheti nuk mund të miratohet edhe pse sot pritet të mbahet mbledhja e qeverise. Por pas kaq shumë kohe çfarë mbledhje mbanë Qeveria, kur nuk është më eminente. Projektet mbesin pa u vazhduar, obligimet ligjore dhe kontraktuale që ka vendi në dikastere të ndryshme qeveritare dhe institucione tjera mbesin pezull, e sidomos qytetarët që kanë nevojë për një qeveri tjetër dhe kanë dhënë verdiktin e tyre dhe ajo nuk po bëhet. Kemi tejkaluar kësaj radhe edhe atë që është një muaj si udhëzues”, është shprehur ai.
Ndryshe Eugen Cakolli nga KDI në një deklaratë dhënë Telegrafit theksoi se besimi i qytetarëve është lëkundur nga problemet e shfaqura gjatë numërimit.
“Kosova ka kaluar një proces zgjedhor, që është vlerësuar pozitivisht si nga organizatat vendore të vëzhgimit të zgjedhjeve, ashtu edhe nga misionet tjera ndërkombëtare. Megjithatë, besimi i qytetarëve është lëkundur nga problemet e shfaqura gjatë procesit të numërimit, por edhe nga zhvillimet lidhur me procedurën e votimit jashtë vendit. Këta dy faktorë, paralelisht me ankesat e parashtruara lidhur me to nga ana e subjekteve politike, kanë ndikuar në zvarritjen e shpalljes së rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja”, ka theksuar ai.
Sipas tij këto probleme duhet të lidhen me diskutimet për reformën zgjedhore.
“Sidoqoftë, konsideroj që përkundër vonesave, është tejet me rëndësi që rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të jetë pasqyrim i drejtë i vullnetit të qytetarëve, duke evituar situatat e kontestimit të rezultateve për shkak të parregullsive të ndodhura përgjatë procesit. Problemet dhe parregullsitë e evidentuara gjatë procesit, që lidhen kryesisht me administrimin e zgjedhjeve, duhet të jenë medoemos një nga pjesët kryesore të diskutimeve lidhur me reformën zgjedhore. Kjo, pasi që Kosova do të duhej të ketë prioritet evitimin e situatave ku vendi nuk ka institucione funksionale për periudha disa-mujore”, është shprehur ai.
Ndërsa sipas rezultateve të deritashme preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 25.50 për qind, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.83 për qind. Partia Demokratike e Kosovës radhitet e treta me 21.25 për qind të votave, kurse koalicioni AAK-PSD në zgjedhjet e së dielës ka marrë 11.57 për qind./Telegrafi/