Pas përjashtimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës, Kosovës i janë shtuar gjasat për anëtarësim në këtë institucion të rëndësishëm evropian.
Njohës të integrimeve evropiane thonë se Kosova e ka kohën të aplikojë për anëtarësim në institucionin më të vjetër të politikës evropiane.
Profesori Dritëro Arifi thotë se 34 nga 44 anëtarët e Këshillit të Evropës janë pro anëtarësimit të Kosovës në këtë institucion.
“Nëse ka vullnet politikë të vendeve që na ka njohur e që janë 34 prej 45 anëtarëve, minus Rusinë, gjasat janë shumë të mira që të pranohemi…Duhet lobim shtesë që Kosova të pranohet me të gjitha rregullat dhe procedurat që kërkohen”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Arifi.
Se është momenti të pranohemi në Këshillin e Evropës e thotë edhe profesori Seb Bytyçi.
Sipas tij në rast se ndodh kjo, më së shumti do të përfitonin qytetarët që kanë punë me institucionet e drejtësisë.
“Përfitimi kryesor i një anëtarësimi të mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës do të jetë për qytetarët pasi ata do të kenë qasje në Gjykatën për të Drejtët e Njeriut. Pos kësaj është edhe aspekti diplomatik dhe politik i afirmimit të shtetësisë së Kosovës”.
Shtetasit e Kosovës do të mund t’i drejtoheshin këtij institucioni nëse do të mendonin se u janë shkelur të drejtat e tyre nga shteti i Kosovës apo cilido shtet anëtarë i Këshillit.
Mirëpo kjo mund të arrihet vetëm kur janë shterur të gjitha mundësitë ligjore brenda vendit.
Procedurat kërkojnë që një shtet anëtarë i Këshillit të Evropës propozon anëtarësimin e Kosovës në Komitetin e Ministrave.
Pas kësaj Asambleja e Këshillit të Evropës kërkon opinion nëse Kosova i plotëson kriteret juridike për t’u bërë anëtar fuqiplotë.
Për anëtarësim kërkohen 2/3 e votave të përgjithshme që Kosova i ka, duke u bazuar në shtetet që kanë njohur vendin tonë./Telegrafi/