Site icon Telegrafi

Analistët thonë se Kurti u largua nga ideja e bashkimit kombëtar pasi erdhi në pushtet

Në Shqipëri dhe mbarë trojet ku ka shqiptarë sot u festua Dita e Pavarësisë, në 111 vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar.

Autoritete të larta shtetërore nga Shqipëria dhe Kosova morën pjesë në ceremoni të posaçme në Vlorë dhe Tiranë.

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vendosën kurora lulesh dhe morën pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit kombëtar.

Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës është ndriçuar poashtu me ngjyrë të kuqe si simbolikë për festën e 28 nëntorit.

Kurti uroi shqiptarët për këtë festë, por ishte shumë i kujdesur që në deklaratat e tij publike të mos përmend fjalën bashkim.

Për këtë temë u diskutua edhe në RTV Dukagjini.

Analisti Imer Mushkolaj, ka thënë se kryeministri, Albin Kurti, është treguar “supermashtrues” sa u përket “ideve” për bashkimin me Shqipërinë.

Duke listuar faktet, Mushkolaj ka theksuar se prej fillimit janë ditur këto fakte se kjo nuk mund të bëhet, por se Kurti e ka përdorur për qëllime elektorale.

Lexo po ashtu Kurti uron shqiptarët për 28 Nëntor: Pavarësia erdhi pas një lufte të gjatë

“Albin Kurti është treguar super mashtrues prej fillimit por sidomos në vitin 2012 kur na flet se qysh ka me u bashkuar me Shqipërinë, e ndërkohë kur vjen në pushtet po na tregon se kjo është pengesë për integrime e ne nuk do të mund të integrohemi në BE”, ka deklaruar Mushkolaj.

Mushkolja shton se Kurti e ka ditur që Kushtetuta e Kosovës nuk e lejon një bashkim me Shqipërinë.

Edhe analisti Ylli Hoxha ka thënë se ideja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, është futur në sirtar.

“Parimisht një shtet i pavarur dhe një shtet tjetër i pavarur do të duhej ta gëzonin këtë të drejtë për bashkim. Ajo që mendoj që është jokorrekte është që në emër të kësaj kauze të vihet në pushtet e pastaj ajo ide të harrohet. Është e pamjaftueshme kjo që e bën Kurti. E ka harruar në momentin që kur ka hyrë dhe nuk ka ndonjë nismë serioze për ta bërë, është hyrë në sirtar si ide”, ka thënë Hoxha.

Hoxha vlerëson se kreu i ekzekutivit pas marrjes së pushtetit ka ndërruar qëndrim lidhur me bashkimin kombëtar.

“Është ndryshim i platformës, qëndrimit, posa hyn në zyre të kryeministrit nuk e ke më lirinë e të shprehurit qysh e ke pasur në opozitë”.

Edhe analisti Astrit Gashi ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka gënjyer në vazhdimësi opinionin publik për bashkimin kombëtar

Gashi thotë se Kushtetuta e Kosovës nuk e lejon bashkimin kombëtar që nga viti 2008.

“Kjo Kushtetutë është këtu prej vitit 2008/2009, të njëjtat fjalë janë, askush nuk ka shtuar e as ka hequr asgjë aty. Si kandidat për kryeministër, si kryetar partie, si deputet, e ka lexuar Kushtetutën e Kosovës, e ka ditë se çfarë shkruan në nenet e Kushtetutës së Kosovës, së këndejmi e ka gënjyer opinionin publik në vazhdimësi”, ka thënë Gashi.

Ai është shprehur se nuk e ka besuar asnjëherë që Kurti dhe Vetëvendosje do të bëjnë ndonjë hap para në drejtim të bashkimit kombëtar./Telegrafi/

Exit mobile version