Analistët në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, kanë hedhur dyshime se edhe një marrëveshje e mundshme që do të përfshinte shkëmbime territoresh, do ta garantonte anëtarësimin e Kosovës në OKB.
Imer Mushkolaj, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se shumica në Kosovë mendojnë se më mirë të mos ketë dialog se të ketë dialog e të vihen në tavolinë idetë për shkëmbime territoresh.
“Njerëzit i frikësohen ideve për shkëmbime territoresh. Idetë e zotit Thaçi shkaktuan frikë te qytetarët e Kosovës. Njerëzit janë shumë të frikësuar se do të ndodh shkëmbimi i territoreve”.
Mushkolaj thotë se njerëzit nuk e dinë çka nënkupton ky shkëmbim i territoreve dhe a është mirë apo keq.
“Hashim Thaçi dhe mbështetësit e tij nuk e kanë sqaruar se çka nënkupton ky shkëmbim i territoreve. Në momentin kur përmendet korrigjimi i kufijve, shkëmbimi i territoreve, ndarja e Kosovës, njerëzit janë të shqetësuar. Askush nuk e ka luksin ta pranoj se dialogu duhet të vazhdojë edhe me idenë e Hashim Thaçit për ndarje të Kosovës”, tha Mushkolaj, përcjell Telegrafi.
Nga ana tjetër analisti Astrit Gashi ka thënë se edhe zoti Enver Hoxhaj që është i hapur ndaj ideve për kufijtë, ka hezitime se kjo marrëveshje garanton njohjen e Kosovës.
“Tek e fundit kush e detyron Kinën të mos e bllokojë anëtarësimin e Kosovës në OKB”.
Gashi ka thënë se edhe Marrëveshja e Vjenës e pakoja e Ahtisarit kishin parashikuar ndryshimin e rezolutës 1244 dhe anëtarësimin në OKB por e njëjta gjë nuk ndodhi.
“Vet politikanët që janë të kyçur në proces nuk po japin garanci për anëtarësim të Kosovës në OKB”, tha ndër të tjera Astrit Gashi./Telegrafi/