Kur kanë ngelur më pak se një javë nga data e përcaktuar për votimin e projektligjeve për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK), janë shpërfaqur qëndrimet kundërthënëse mes NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me këtë proces. Por, analistët vlerësojnë se vendimtare për themelimin e ushtrisë së Kosovës është përkrahja amerikane.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ditë më parë pati deklaruar se ky transformim po ndodhë në një “kohë të papërshtatshme”, ndërsa në anën tjetër zyrtarë të SHBA-ve e përkrahin transformimin e FSK-së.
Sipas njohësve të rrethanave në vend, përkrahja e SHBA-të për ushtrinë e Kosovës është shumë i rëndësishëm, pasi SHBA-të për NATO-në janë kontributi më i madh financiar apo thënë më mirë “shtylla apo kurrizi i saj”.
Imer Mushkolaj në një prononcim për Telegrafin ka thënë se Kosova nuk duhet të pres që NATO ta përkrah transformimin e FSK-së në ushtri, pasi ende nuk e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur.
Sipas tij, do ishte utopike që Kosova të pres nga NATO, që të jap pajtimin për ushtrinë.
“Menjëherë pas reagimit të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, erdhi reagimi i SHBA-ve dhe në një farë forme SHBA-të po e përkrahin transformimin e FSK-së.,Kjo është shumë me rëndësi duke e pasur parasysh që SHBA-të janë kontributi më i madh financiar i NATO-s dhe po ashtu është shtylla apo kurrizi i saj. Kështu që besoj që mesazhi i dhënë nga ambasadori amerikan që përfaqëson SHBA-të është shumë i rëndësishëm. Mos të presim që NATO do të përkrah formimin e ushtrisë, mos të harrojmë që NATO nuk e njeh shtetin e Kosovës të pavarur ashtu siç nuk e njeh dhe BE-ja. Por ne duhet të vazhdojmë tutje duke pas parasysh që ekziston mbështetja e fortë amerikane”, ka thënë Mushkolaj.
Edhe analisti, Ramush Tahiri për Telegrafin theksoi se është mirë që Kosova ka një përkrahje për ta formuar ushtrinë sidomos prej SHBA-ve.
“Nuk mendoj që është ndonjë konflikt mes NATO-s dhe SHBA-ve, ashtu qysh po prezanton rreth Kosovës. As nuk mendoj asnjëherë që SHBA-të dhe NATO të kenë çfarë do konflikti rreth Kosovës. Ushtria e Kosovës do të themelohet. Është një periudhë që zgjatë 10 vjet”, u shpreh Tahiri.
Ndryshe Kryesia e Kuvendit ka caktuar 14 dhjetorin, seancën në të cilën pritet që të votohen projektligjet për FSK-në.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, pati thënë se kjo do të jetë edhe dita e shndërrimit të FSK-së në ushtri.
Ai tha se prej UÇK-së, Kosova ka pasur ushtri, por tash po i jepet një vulë institucionale.
“Më datën 14 dhjetor, urime të gjithëve, do ta kemi transferimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës. Besoj se do ta jetë një nga projektligjet që do të aprovohet me shumicën absolute të votave. Urime edhe njëherë të gjithëve. Pastaj do të kemi shqyrtimin e parë të projektligjit për buxhetit, dhe pastaj ditën e nesërme nga ora 17 do të kemi vazhdimin e seancave të papërfunduara në pikat e rendit të ditës, të cilat janë vetëm në votime“, ka thënë kryetari i Kuvendit. /Telegrafi/