Kryeministri Ramush Haradinaj sot është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Berlin, ku do të takohet me kancelaren Angela Merkel për të diskutuar çështje me shumë rëndësi për vendin.
Njohësit e çështjeve politike në vend në një prononcim për Telegrafin kanë thënë se ky është një takim me shumë rëndësi për Kosovën si dhe ndër takimet më të rrallat, pasi kryeministri Haradinaj pritet si një burrështetas nga një shtet perëndimor.
Analisti Belul Beqaj, ka vlerësuar se vizita e kryeministrit është dëshmi e seriozitetit ndaj çështjeve të ndërlidhura më shumë me dialogun se sa me liberalizimin e vizave.
Sipas tij, në këtë kontekst, do të definohet pozicioni i qeverisë ndaj modelit të zgjidhjes së çështjeve diskutabile që janë produkt i dallimeve të brendshme dhe jashtme.
“S’do mend se pozicioni i Gjermanisë do të përforcojë modelin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë duke kërkuar zgjidhje brenda kufijve ekzistues”, ka thënë Beqaj.
Edhe Imer Mushkolaj, ka thënë se e rëndësishme është që Gjermania dhe njëherë ta konfirmojë dhe forcojë qëndrimin se është kundër korrigjimit të kufijve.
“E rëndësishme është që ta konfirmojë dhe njëherë që është pro liberalizimit të vizave. Nuk e di nëse do të kërkohet heqja e taksës për vazhdimin e dialogut, por Haradinaj duhet t’ia sqarojë se taksa nuk është për pengimin e dialogut por një kundërpërgjigje e fushatës e cila po vazhdon edhe sot e kësaj dite. Ka shumë rëndësi çka thotë Gjermania”, u shpreh ai.
Mushkolaj theksoi se kjo ditë është e rëndësishme sepse është një ndër të rrallat kur kryeministri pritet si burrështetas në një shtet perëndimor.
“Fatkeqësisht gjatë gjithë këtyre muajve të qeverisjes së tij, këto vizita kanë munguar”, tha ndër të tjera Mushkolaj.
Ndërkaq, Haradinaj tashmë ka nisur takimet që do t’i zhvillojë gjatë ditës së sotme.
Sipas agjendës të cilën e ka siguruar Telegrafi, kryeministri fillimisht do të zhvillojë takim me grupin parlamentar për Evropën Juglindore, përfshirë edhe deputet të grupeve tjera parlamentare në Bundestag.
Pas kësaj, rreth orës 11:00, Haradinaj do të zhvillojë takim pune me kancelaren Angela Merkel. Kryeministri do të marrë pjesë edhe në konferencën “Takimet ndërkombëtare”.
Ndërkaq nesër, kryeministri do të jetë pjesë e lutjeve të mëngjesit në Berlin. Ndryshe, kryeministri Haradinaj ka mbërritur në Berlin gjatë ditës së djeshme ku është pritur me ceremoni ushtarake.
Ai po ashtu është i shoqëruar nga ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli.
Ndryshe, nga takimi i fundit i mbajtur më 29 prill në Berlin, kryeministri Ramush Haradinaj pati deklaruar se nuk kishte ndonjë parashikim për marrëveshje potenciale me Serbinë. /Telegrafi/