Çështja e shkëmbimit të territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë ka nxitur përplasje në mes të zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Ka qenë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri dhe deputetja Vjosa Osmani të cilët janë përplasur keq mes vete rreth çështjes së shkëmbimit të territoreve.
Haziri ka deklaruar se Lugina e Preshevës do të jetë Kosovë, ndërsa Osmani ka thënë se është kundër ndarjes së Mitrovicës.
Rreth këtyre përplasjeve në LDK njohës të çështjeve politike e shohin këtë si luftë për të marrë kreun e partisë.
“Në LDK ka filluar lufta për të marrë kreun e partisë. Fatkeqësisht, Lugina e Preshevës po keqpërdoret nga zyrtarë të LDK-së për qërim hesapesh partiake dhe përfitim poenësh partiakë. Gara do të duhej bërë duke prezantuar platforma e ide, e jo duke u marrë me Preshevën dhe duke përdorur një gjuhë aspak të denjë për zyrtarë të lartë të një partie”, ka thënë Imer Mushkolaj për Telegrafin.
I pyetur rreth asaj se sa ka gjasa që në Kuvendin e radhës zgjedhor të LDK-së, të përsëritet skenari i 2006 ku u përleshen mes vete me karrige, Mushkolaj tha se deri atëherë pritet të ketë përplasje të tjera.
“Deri në kohën kur mbahet kuvendi i radhës i LDK-së pritet të ketë edhe përplasje të tjera, që do të vijnë duke u shtuar”, tha Mushkolaj.
Në anën tjetër, analisti Fadil Lepaja ka thënë se përçarjet që po ndodhin në PDK po reflektohen edhe në LDK. Sipas tij, presioni i presidentit Hashim Thaçi është shkaktari kryesor i gjendjes brenda LDK-së.
“Mendoj se në mënyrë paradoksale përçarjet në PDK po reflektohen edhe në LDK. Presioni i presidentit, i cili po e shfrytëzon një ide të hedhur nga z.Haziri dhe të tjerët në LDK po i sjellë në situatë që pjesa tjetër e LDK-së të gjej kundërshtimin si agjendë të veten të re, duke marrë kështu iniciativën edhe brenda LDK-së, në momentet ku po luhet paraloja e zgjedhjes së kryetarit të LDK-së, që pritet të ndodhë vitin e ardhshëm”, u shpreh Lepaja për Telegrafin.
Ai më tej ka shtuar se kjo mund të jetë edhe paralajmëruesi i zgjedhjeve të reja, pasi që sipas tij kemi bllokadë në Kuvend dhe në këto raste gjithnjë ka angazhime të përçahet LDK-ja, e cila sipas tij, aktualisht është partia më e fuqishme në Kuvend.
“Sido që të jetë shumë çka në muajt e ardhshëm varet prej kompaktësisë, qartësisë apo dinamikës në LDK dhe aktivizimi i grupeve si me sustë, tregon për vijat jashtë LDK-së dhe brenda kësaj partie. Do të jetë në urtinë e kryetarit aktual se si do të rrjedhin proceset në këtë parti me apo pa karrige. Kjo varet nga rreshtimi i vet atij”, tha Lepaja. /Telegrafi/