Telegrafi

Analistët për deklaratën e Brnabiqit: Kur fyerja shndërrohet në qëndrim politik, tregon nivelin e kulturës së saj politike

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ka deklaruar se nuk e ka ndërmend të kërkojë falje për deklaratën fyese që pati bërë ditë më parë në drejtim të liderëve të Kosovës, ku tha se “janë njerëz të dalë nga mali”.

Analistët politik thonë se deklarata e saj flet shumë për nivelin e saj duke  e quajtur deklaratën si nënçmim ndaj udhëheqjes së Kosovës.

Politologu Ramush Tahiri në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se Brnabiq i është drejtuar pa të drejtë udhëheqjes së një vendi, i cili është shtet sovran dhe i pavarur.

Sipas tij, ajo dëshiron ta zbus deklaratën e saj duke mos pasur kurajë të kërkoj falje, që siç thotë Tahiri, Brnabiq ka thënë se dëshiron të bisedoj me profesorë dhe intelektual, por ata nuk vijnë në shprehje në Kosovë.

“Brnabiq sillet me nënçmime ndaj udhëheqjes së Kosovës, pa marr parasysh kush janë dhe thotë që janë udhëheqje nga mali në kuptim të pagdhendur. Ajo dëshiron ta zbus konstatimin e vet duke mos pasur kurajë të kërkoj falje, dhe thotë që kish dëshiruar të bisedojë me profesorë dhe intelektual, por ata nuk vijnë në shprehje në Kosovë. Sipas saj i vjen shumë keq që duhet të bisedoj me Ramush Haradinaj”, ka thënë ai.

Siç u shpreh Tahiri, po ta bënte këtë gjë Kosova sigurisht do të kishte reagime edhe nga ndërkombëtarët, gjë të cilën tek Brnabiq nuk e kanë bërë.

“Ky është një nënçmim. Por edhe që po ta bënte Kosova ndaj Serbisë këtë gjë sigurisht që do të kishin reaguar edhe të huajt edhe ndërkombëtarët, sepse kjo do të ishte paragjykuese. Por tek ajo nuk po reagojnë”, potencoi Tahiri.

Edhe analisti politik Belul Beqaj, ka theksuar se kur fyerja shndërrohet në qëndrim politik tregon nivelin e kulturës politike të asaj politike.

“Kjo flet  më shumë për nivelin e saj dhe mbështetësve të asaj politike, se sa për ata që ajo konsideron se kanë dal nga mali. Fundja, çfarë paraqesin ata që kanë dialoguar me “njerëzit që kanë dalë nga mali”. Nëse Hashim Thaçi është Tarzani Kosovës, kush janë ata me të cilët ka dialoguar? “, ka thënë Beqaj.

Ndryshe, ndaj këtyre deklaratave kanë reaguar institucionet e Kosovës, duke e quajtur një deklaratë skandaloze dhe duke kërkuar reagim nga Bashkimi Evropian (BE). Poashtu për këtë ka nisur edhe një fushatë kundër saj në Twitter me hashtagun “Njerëzit nga mali” dhe “Fjalë për fjalë të shfaqur nga mali” iniciativë kjo e nisur nga qytetarë të ndryshëm. /Telegrafi/