Në “Debat Plus” në RTV Dukagjini panelistët kanë diskutuar për pikat e forta të partive politike.
Vehbi Kajtazi thotë se pika më e fortë e Vetëvendosjes është Albin Kurti.
“Kurti momentalisht është lideri më i fuqishëm në vend. Është më i popullarizuari dhe është shndërruar në një far idhulli për të rinjve në Kosovë. Këtë pak e shohë edhe si defekt te Vetëvendosjes pasi i gjithë koncentrimi është te lideri”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Donika Emini thotë se Vetëvendosje është lëvizje e mobilizuar që ishte strukturë edhe para se të bëhet parti.
“LVV e ka shtrirë strukturën në gjithë Kosovën dhe janë proaktiv në komunikim me masat. Po ashtu nuk kontestohet figura e Albin Kurtit. Mendoj se është dekada e Kurtit dhe Vetëvendosjes. Pikë të fortë Vetëvendosje po ashtu e kanë mobilizimin. Janë më proaktiv online”.
Ish ambasadori i Kosovës në Bruksel, Bernard Nikaj thotë se pikë e fortë e Vetëvendosjes është struktura kompakte e saj.
“Kjo strukturë funksionon. Por Vetëvendosje pikën më të fuqishme e ka Kurtin i cili e vë në lëvizje tërë strukturën e saj”.
Politologia Shqipe Mjekiqi thotë se pikë e fortë e Vetëvendosjes pos liderit e saj është edhe programi që duhet ta jetësojë.
“Vetëvendosje identifikohet me programin e saj. Pikë e fortë e saj është edhe identifikimi me rininë që përfaqësojnë grupin më të madh të qytetarëve. Ne e dimë se çdo palë zgjedhje mijëra qytetarë votojnë për herë të parë e që të njëjtit më shumë po e gjejnë veten në LVV”.
Arton Demhasaj thotë se pika më e fortë e Vetëvendosjes është keq qeverisja e partive tjera që kanë qeverisur deri më tani.
“Pika tjetër e fortë është aktivizmi. Ata kanë një armatë që janë shumë të dëgjueshëm ndaj partisë. Edhe fryma që është krijuar se VV do t’i fitojë zgjedhjet është pikë e fortë e saj në zgjedhje…Komisionarët e LVV-së janë tjetër pikë e fortë që ja mbrojnë mirë votën partisë ditën e zgjedhjeve”.
Ish-deputeti Visar Ymeri ka thënë se LVV ka disa veçori që e shquajnë nga partitë tjera në Kosovë.
“LVV ka nisur si grupim i njerëzve të cilët politikën e kanë përjetuar edhe si ideologji. Aktivisti i LVV për shkak të diskursit të LVV ndihet se e ka një lloj superioriteti ndaj të vërtetës historike. Tjetër fuqi politike e LVV-së është organizimi dhe përkushtimi. Kurti poashtu ka veçori që dallon nga liderët e tjerë. Ai ka dimensione frymëzuese ndaj elektoratit. Kurtin poashtu njerëzit e shohin si të pa korruptuar dhe për shkak të stilit të jetës së tij. Kurti paraqitet çdoherë sikur ata”, tha ndër të tjera Visar Ymeri./Telegrafi/