Site icon Telegrafi

Analistët komentojnë listat e kandidatëve të partive kryesore për zgjedhjet e 9 shkurtit

Përzgjedhja e kandidatëve për zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë po ngjall diskutime të shumta, me analistë që vlerësojnë dhe kritikojnë listat e partive kryesore.

Analisti Sadri Ramabaja ka shprehur zhgënjimin e tij në lidhje me listën e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Ramabaja i zhgënjyer me listën e Lëvizjes Vetëvendosje

Ai theksoi se lista nuk ka përmbushur pritshmëritë e tij, duke argumentuar se ajo duhej të ishte më e përgatitur dhe më e fuqishme.

Ramabaja shprehu keqardhje për mungesën e përfshirjes aktive të kryeministrit Albin Kurti në përzgjedhjen e listës, duke theksuar se përgjegjësia për këtë proces i është lënë njerëzve të tjerë brenda partisë.

Ai paralajmëroi se do të zbulojë më shumë detaje për këtë pas zgjedhjeve.

“Lista ka shumë hapësirë për përmirësim. Ka qenë fatkeqësi që Albin Kurti nuk është përfshirë drejtpërdrejt në këtë proces”, deklaroi ai në Debat Plus.

Kastriot Jahaj komenton përfshirjen e Avni Deharit në listën e LVV-së

Analisti Kastriot Jahaj ka kritikuar përfshirjen e Avni Deharit në listën e LVV-së, duke shprehur keqardhje për atë që ai e cilëson si “keqpërdorim të emrit dhe gjakut të familjes Dehari”.

Lexo po ashtu Përfshirja e grave në listat zgjedhore, D4D: LVV dhe AAK shënojnë rënie

Sipas Jahajt, familja Dehari ende nuk ka marrë drejtësinë e premtuar për fatin e fëmijëve të saj.

“Emri i tij është përdorur pa arritje konkrete për drejtësi. Kjo është zhgënjyese dhe e papritur,” deklaroi Jahaj.

Në anën tjetër, Jahaj e cilësoi listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) si të mirëorganizuar dhe të bazuar në kritere të qarta, si hierarkia partiake, përfaqësimi rajonal dhe angazhimi politik.

“Top 10-shja e LDK-së reflekton përgatitje dhe mendim strategjik. Përfshirja e Doarsa Kica-Xhelilit dhe risi të tjera është një hap pozitiv,” u shpreh ai.

Buzhala kritikon renditjen në listën e PDK-së

Analisti Viktor Buzhala ka komentuar listën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), duke e quajtur atë një “renditje shoqërore”.

Ai theksoi mungesën e përfaqësimit nga Drenica, një rajon me mbështetje të madhe për PDK-në, në top 5 të listës.

“Tre nga pesë të parët janë shokë të afërt, që nuk është përfaqësim i drejtë për një parti që ka rrënjë në Drenicë,” tha Buzhala.

Buzhala ka komentuar edhe përbërjen e top 10-shes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Sipas tij, kjo listë karakterizohet nga një përfaqësim i fortë i ish-komandantëve e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, duke e cilësuar atë si “10-shen më UÇK të mundshme”.

Diskutimet për listat zgjedhore pasqyrojnë sfidat dhe strategjitë e partive në prag të zgjedhjeve. Kritikat dhe vlerësimet nga analistët pritet të ndikojnë në perceptimin publik dhe mobilizimin e votuesve./Telegrafi/

Exit mobile version