Telegrafi

Analistët deshifrojnë mesazhet e Escobarit dhe Lajçakut në Kosovë

Sot në Kosovë po qëndrojnë i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Gjatë ditës, Escobar dhe Lajçak u takuan edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe më pas me kryeministrin Albin Kurti.

Pas takimit Escobar theksoi se Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Kosovës, derisa Lajçak tha se deri të mërkurën mund të ketë një pasqyrë më të plotë për të ardhmen e dialogut.

Ish-zëvendësministri Taulant Kryeziu në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini thotë se nga konferenca pati dy-tri mesazhe kryesore.

“E para ishte uniteti trans-atlantik [SHBA-BE] për dialogun Kosovë-Serbi gjë që nuk ishte në Presidencës Trump dhe e dyta është rruga përpara në procesin e dialogut. SHBA po thekson se si në Kosovë ashtu edhe në Serbi qeveritë kanë legjitimitet të konsideruar. E treta ishte se edhe Kosova edhe Serbia rrugën drejt BE-së e kanë të lidhur me njohjen reciproke”, deklaroi Kryeziu.

Analisti Imer Mushkolaj thotë se është e vërtet se amerikanët nuk po flasin për formën që duhet të jetë Asociacioni i komunave serbe, derisa sipas tij institucionet tona po heshtin.

“Vizita e sotme përtej Asociacionit dhe një marrëveshje të shpejtë lidhet edhe me çështjen e energjisë në veri. SHBA janë të qarta në raport me integritetin e Kosovës, por përgjegjësi që është marrë para disa viteve duhet të implementohet”.

Mushkolaj thotë se është skeptik se mund të ketë një marrëveshje të shpejtë se mes Kosovës dhe Serbisë por sipas tij duhet shfrytëzuar impulsi që SHBA po jep në proces.

Ish-deputeti Visar Ymeri thotë se interesimi i Escobarit dhe Lajçakut është për dy gjëra:

“Së paria ata duan të flasin me palët për të parë se cilat janë hapësirat për të negociuar dhe e dyta për ta parë vullnetin se kur mund të ndodhin këto negociata dhe e treta është që të dy palët ta marrin më seriozisht dialogun. Pra përfaqësuesi i Amerikës sidomos, po jep mesazhin se procesi i dialogut duhet të kryhet sa më shpejtë”.

Edhe analisti Ylli Hoxha mendon se mesazhi i emisarëve është që dialogu duhet të merret më seriozisht nga palët.

“Kurti do të jetë nën një presion në rritje pas deklaratave të tij që e nënvleftësojnë dialogun…Vizita e sotme lidhet edhe me forcimin e pozitës së Lajçakut pasi ai merr edhe mbështetjen e SHBA-së për të drejtuar procesin”.

Astrit Gashi nga ana tjetër thotë se emisarët nuk kanë ardhur t’i dëgjojnë rezultatet për korrupsion apo zhvillim ekonomik.

“SHBA është futur në proces dhe ne nuk mund të luajmë më si maca me miun”, deklaroi Gashi./Telegrafi/