Nga: Tyler Harper / BBC (titulli origjinal: What The Last of Us, Snowpiercer and ‘climate fiction’ get wrong)
Përkthimi: Telegrafi.com
Në skenën hapëse të The Last of Us, të dramës shumë të njohur me zombi në HBO, një grup epidemiologësh rrinë ulur dhe mbajnë këmbët kryq gjatë xhirimit të një emisioni të debatit në vitin 1968. Derisa prezantuesi me sjellje të mirë pyet mysafirët për kërcënimet virale ndaj species njerëzore, një nga shkencëtarët – një njeri i quajtur Newman – përgjigjet se kërpudhat, jo viruset apo bakteret, paraqesin rrezikun më të madh për njerëzimin. Turma e përqesh, por Newman vazhdon pa frikë duke sugjeruar se nëse rriten temperaturat globale të Tokës, mund jetë shumë reale shfaqja e murtajës së pashërueshme të kërpudhave. Pak minuta më vonë, shkojmë drejt një të ardhmeje në të cilën deri në vitin 2023 një pandemi ka çuar në shembjen e qytetërimit njerëzor, me çka u përmbush profecia e kërpudhave e epidemiologut.
Kjo hapje është turbulluese, jo vetëm sepse i paralajmëron shikuesit për rreziqet katastrofike të ngrohjes planetare, por kritikon në mënyrë implicite se nuk e kanë marrë parasysh mesazhin. Ashtu si epidemiologu i shpërfillur – brenga e të cilit bie në vesh të shurdhër – drama e HBO-së është e qartë që në fillim se metafora e zombive është menduar si paralajmërim i fshehtë për krizën tonë reale klimatike. Implikimi i skenës së debatit dhe pasojat e saj apokaliptike janë të drejtpërdrejta: e ardhmja do të jetë një peizazh ferri nëse nuk i dëgjoni shkencëtarët.
Në këtë aspekt, The Last of Us është si shumica e veprave që i përkasin listës gjithnjë të shtuar të produkteve kulturore me emërtimin “fiksion klimatik” (cli-fi). I krijuar nga aktivisti mjedisor Dan Bloom rreth vitit 2008, “cli-fi” është termi i përdorur për ta përshkruar një zhanër romanesh, filmash dhe formash tjera të mediave që i përshkruajnë ndryshimet klimatike përmes lentave spekulative ose të fantashkencës. Duke i përfshirë këtu klasikët e mirëfilltë letrarë si Parable of the Sower nga Octavia Butler e deri te filmat alegorikë (dhe tendencioz) si Mother! e Darren Aronofskyt, veprat e “cli-fi” janë apokaliptike si në ton ashtu edhe në përmbajtje. Dhe, si The Last of Us, e paralajmërojnë audiencën për botën që do të vijë.
Diskursi publik rreth këtij zhanri të ri ka qenë kryesisht si diçka e padiskutueshme. Romanet dhe filmat rreth ndryshimeve klimatike shpeshherë nga mediat përshkruhen si “parashikuese” ose “profetike” dhe se ato na ofrojnë një “paralajmërim të tmerrshëm” për të ardhmen. Për më tepër, reagimet për klimën gjithmonë shpallen si një lloj thirrjeje për t’i kapur armët. Jemi të shtyrë të besojmë se leximi ose shikimi i fiksioneve klimatike do të frymëzojë aktivizmin, se mund të nxisë oreksin për ndryshime reale shoqërore duke e “frikësuar drejtpërdrejt audiencën” ose duke komunikuar me shkencën e klimës në mënyrë më bindëse sesa shkencëtarët aktualë të klimës. Këto supozimet që në fillim kanë qenë pjesë e diskutimit publik për “fiksionin e klimës”.
Artikulli i parë i madh rreth këtij zhanri në zhvillim u botua në The Atlantic dhe mbante titullin: Fiksioni i klimës: A munden librat ta shpëtojnë planetin? Kjo është pyetja që është përsëritur pafund në vitet që pasuan. A munden fiksionet klimatike ta frymëzojnë ndonjë përgjigje, për të na ndihmuar në shpëtimin e planetit?, pyet The Independent. The New Yorker pyet: A mund të na zgjojë fantashkenca për ta parë realitetin tonë klimatik?, ndërsa revista Smithsonian pyet: A munden shkrimtarët e fiksioneve klimatike të arrijnë te njerëzit në mënyrat që shkencëtarët nuk po munden? Përgjigja në çdo rast supozohet të jetë “po”. The Guardian nuk shtron pyetje, por ofron një listë me Tregimet që mund ta shpëtojnë botën.
Megjithatë, ajo që mungon në artikujt e panumërt si këta – artikuj që pohojnë se fiksionet klimatike do t’i frymëzojnë veprimet klimatike – është prova e vërtetë për këtë. Në vend të kësaj, pretendimet për ndikimin transformues të fiksioneve klimatike përsëriten nga mediat si një dogmë, thuajse ekziston një vijë e drejtë dhe e qartë midis leximit të një romani për krizën klimatike dhe të qenit ambientalist radikal.
Mos më keqkuptoni, do të doja shumë që kjo të ishte e vërtetë: Jam studiues i letërsisë që hulumton dhe shkruan për fiksionet klimatike. Kam dhënë intervista dhe kam publikuar artikuj për këtë zhanër, si në revistat akademike ashtu edhe në mediat mëdha. Ofroj një kurs të quajtur “Fiksioni i klimës”. Megjithatë, sa më shumë që jam zhytur në “cli-fi” gjatë dekadës së fundit, aq më shumë kam filluar të ndihem i shqetësuar për zhanrin dhe pretendimet e mediave për potencialin e tij shpëtimtar. Në fakt, unë jo vetëm që shqetësohem se “cli-fi” mund të mos jetë formë efektive e shprehjes mjedisore, por kam arritur të besoj se zhanri mund të jetë i rrezikshëm, duke e penguar aftësinë tonë kulturore për ta imagjinuar një të ardhme që ia vlen të jetohet ose për të cilën duhet të luftohet.
Një pjesë e problemit është se zhanri – i cili është pothuajse ekskluzivisht distopian, e që vepron sipas modelit të “përrallës paralajmëruese” – trafikon atë lloj retorike apokaliptike që është dëshmuar prej kohësh se i demotivon konsumatorët e mediave mjedisore. Romanet si The Water Knife nga Paolo Bacigalup ose filmat si Snowpiercer nga Bong Joon-Ho mund të jenë trilerë tërheqës për klimën, por narracioni i tyre i zymtë nuk e frymëzon saktësisht llojin e qëndrimit të mundshëm që mund të ndihmojë në motivimin e audiencës për t’u përfshirë në betejën klimatike. Në të vërtetë, qëkur fillova të jepja leksione për klimën disa vjet më parë, jam habitur nga fakti se sa nga studentët e mi – një numër i të cilëve janë të përfshirë në Lëvizjen Rinore për Klimën – u demoralizuan pasi u morën me veprat të tilla, të bindur – të paktën për një moment – se është i pakuptimtë aktivizmi për klimës.
Kur reagimin e studentëve të mi ndaj romaneve dhe filmave “cli-fi” e diskutoj me Danielle Endresin, një eksperte për komunikimin mjedisor në Universitetin e Jutës, ajo nuk habitet. “Retorika apokaliptike ndez paralizën edhe në mesin e të motivuarve”, vuri në dukje Endres. “Nëse e shohim të ardhmen vetëm si katastrofë, kjo e justifikon idenë se nuk duhet të ndërmarrim veprime”. Nichole Seymour, teoriciene kulturore libri i së cilës Bad Environmentalism kritikon katastrofën në diskursin e klimës, pajtohet se modeli “i frikësimit” nuk funksionon. “Prej kohësh kemi thënë se njerëzve thjesht u mungon informacioni rreth ndryshimeve klimatike dhe se kjo është arsyeja pse ata nuk po veprojnë. Por, tani po fillojmë ta shohim të kundërtën: sa më shumë që dini – nëse njohuritë janë kryesisht lajmet e këqija – ndihesh më i paralizuar dhe i pashpresë”.
Këto këndvështrime janë theksuar nga Katherine Buse nga Universiteti i Çikagos, një studiuese që hulumton marrëdhëniet midis literaturës klimatike, politikës klimatike dhe shkencës klimatike. Sipas saj, ka një mospërputhje mes mënyrës se si romancierët e klimës e imagjinojnë të ardhmen dhe mënyrës se si shkencëtarët e klimës e parashikojnë atë: ajo vëren se modeluesit e klimës kanë vështirësi të mëdha për ta inkuadruar të ardhmen si një “hapësirë mundësie” në të cilën mund të shpalosen një sërë të ardhmesh të ndryshme, në varësi të veprimeve që do të ndërmarrim në vitet e ardhshme. Megjithatë, ashtu si Endres dhe Seymour, Buse vëren se fiksionet klimatike shpesh mund ta riprodhojnë ndjenjën e kundërt: se ka vetëm një të ardhme të mundshme dhe se ajo në mënyrë të pakthyeshme do të jetë katastrofike.
Megjithatë, tendenca apokaliptike nuk është problemi i vetëm: zhanri është gjithashtu viktimë e pritshmërive të paarsyeshme të anëtarëve të medias dhe të akademikëve që këmbëngulin se “cli-fi” është formë e aktivizmit për klimën. Smaran Dayal, studiues i Afrofuturizmit dhe ekspert për Octavia Butlerin, vë në dukje se ky supozim i zakonshëm është i gabuar. “Profesorët e letërsisë theksojnë se letërsia e ka një funksion automatik aktivist, gjë që nuk e ka”, thotë Dayal duke qeshur. “Është gjë e kontroverse për ne si profesorë të letërsisë nëse e themi këtë, por jeni shkëputur nga bota nëse mendoni se njerëzit lexojnë romane si frymëzim për të reaguar e për t’u organizuar në rrugë. Na pëlqen ta supozojmë një tranzicion të qetë drejt revolucionarit pas leximit të Octavia Butlerit, por nuk është kështu”.
Matthew Schneider-Mayerson, kritik letrar, autor i studimit të parë empirik që shqyrtoi ndikimin e “cli-fi”-së në qëndrimet e lexuesve për mjedisin, pajtohet se duhet të jemi më realistë se çfarë ndikimesh të mund të presim nga zhanri. Studimi i tij zbuloi se romanet që e përshkruajnë katastrofën “mund të pengojnë qëllimin e rritjes së ndërgjegjes mjedisore”, duke prodhuar ndjenja dëshpërimi, ashtu si ato të përjetuara nga studentët e mi. Ai zbuloi gjithashtu se romanet “cli-fi” konsumohen kryesisht nga njerëz që tashmë janë të shqetësuar dhe që besojnë në ndryshimet klimatike, kështu që zhanri ka një problem “predikimi” që gjithashtu e kufizon aftësinë për të rekrutuar ambientalistët e rinj.
Megjithatë, hulumtimi i tij sugjeron se tregimet për klimën që përdorin një kornizë pozitive – veçanërisht ato që fokusohen në elasticitetin ose inovacionin – mund të jenë në gjendje t’i frymëzojnë lexuesit për të vepruar. Ai pranon se shembujt e fiksioneve klimatike jo-distopike janë të pakta, por thekson si shembuj premtues Flight Behavior nga Barbara Kingsolver ose Back to the Garden nga Clara Hume. (Kësaj do t’i shtoja edhe Trail of Lightning nga Rebecca Roanhorse, A Psalm for the Wild-Built nga Becky Chambers, projekti i “Imagine 2200” nga faqja Grist ose pothuajse çdo roman nga Kim Stanley Robinson).
Schneider-Mayerson beson se fiksionet klimatike nuk duhet të jenë fokusi kryesor i kritikës. “Problemi i vërtetë është se shumica e fiksioneve të botuara sot nuk e pranojnë realitetin e ndryshimeve klimatike. Fiksioni i klimës është pjesa më e vogël e gjithçkaje që lexohet sot. Është gjë e duhur ta kritikosh atë dhe të pyesësh se çfarë mund të bëjë më ndryshe, por pjesa më e madhe e kritikave duhet të shkojë në fiksionet jo-klimatike që e portretizojnë botën natyrore si sfond të qëndrueshëm dhe të besueshëm për çështjet njerëzore”, thotë ai. “Realiteti është se ato vepra në thelb janë të gjithat fantazi”.
Çdo studiues me të cilin flas ka shpresë – dikush më shumë, dikush më pak – se ka forma të artit mjedisor që mund të kenë sukses në formësimin për të mirë të imagjinatës së publikut. Por, janë po aq të qartë se “cli-fi” nuk është ilaçi që u premtua, dhe se për sa kohë që vazhdon të funksionojë me katastrofa të pandërprera, kurrë nuk do të përmbushë potencialin që ka. Ndoshta hapi i parë drejt fiksionit më të mirë klimatik është të ndalemi së kapuri pas llojit të të menduarit magjik që thotë se një roman mund të shpëtojë botën; që të jemi të qartë se çfarë ndikimi të prekshëm mund të presim nga veprat e shtypura.
Këtu më kujtohet Sokrati, i cili në Republikën e Platonit thotë se nuk ka vend për poetë në një qytet të administruar mirë. Kritikat e Sokratit janë të shumëfishta me poezinë, por thelbi i kundërshtimit të tij është se letërsia ia jep audiencës ndjenjën e rreme të veprimit të vërtetë – u jep lexuesve ndjenjën e luftës pa rrezikun e luftimit, ndjenjën e dashurisë pa rreziqet e romancës. Domethënë, problemi me një lloj të caktuar letërsie është se ajo na jep ndjenjën se kemi bërë vërtet diçka fisnike, kur në fakt nuk kemi bërë asgjë me rëndësi pos që ulemi në divan dhe e lexojmë një libër. /Telegrafi/