Telegrafi

Amnesty International reagon pas lajmit që dueli Joshua – Ruiz do të zhvillohet në Arabinë Saudite

Amnesty International ka reaguar ndaj vendimit që rimeçi ndërmjet Anthony Joshua dhe Andy Ruiz Jr të zhvillohet në Arabinë Saudite, duke përmendur shkeljen e të drejtave njerëzore, vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi dhe luftën në Jemen.

Rimeçi për titujt e unifikuar të botës do të zhvillohet në Diriyah në periferi të kryeqytetit Riad më 7 dhjetor, ndërsa është miratuar të premten nga IBF, WBA dhe WBO.

Pas duelit në Madison Square Garden të New Yorkut më 1 qershor, ku AJ i humbi titujt, pritej që rimeçi të zhvillohej në Cardiff, mirëpo është vendosur për një vend neutral.

Porse kreu i Amnesty International në Britani të Madhe, Felix Jakens, ka kërkuar nga Joshua që të informohet për situatën e të drejtave njerëzore dhe të flasë për të dhënat në lidhje me të drejtat njerëzore në Arabinë Saudite.

Lexo po ashtu Anthony Joshua dhe Andy Ruiz do të përballen në Arabinë Saudite më 7 dhjetor

“Nëse Anthony Joshua përballet me Andy Ruiz Jr në Arabinë Saudite, kjo do të jetë një mundësi tjetër që autoritetet saudite të përpiqen ‘ta pastrojnë’ përmes sportit imazhin e tyre të njollosur rëndë”, ka thënë Jakens. /Telegrafi/