Telegrafi

Ameti: Pa Jugohromin, ndotja e ajrit është ulur ndjeshëm në rajonin e Tetovës

Ministri i mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Bashkim Ameti, e ka inkurajuar udhëheqësinë e kompanisë ”Jugohrom” që të fillojë me vendosjen sa më të shpejtë të filtrave, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Sipas tij, mostregimi i shenjave të vullnetit të mirë të menaxhmentit të Jugohromit është shqetësues, duke ritheksuar afatin e dytë për vendosjen e filtrave pas të cilit proces punëtorët duhet të kthehen në punë.

Ameti publikoi edhe të dhënat për ndotjen e ajrit në rajonin e Tetovës të periudhës 2014-2017. Sipas tij, në periudhën 2012-2015 ndotja e ajrit me grimcat PM10 ka qenë në rritje në Tetovë, kurse në 2016 është në rënie sepse nuk punon Jugohromi.

Analizat e publikuara nga ministri Ameti tregojnë rënie të ndotjes së ajrit edhe në muajin shkurt, por edhe në ditët e para të muajit mars të këtij viti, për 60.4%.

Më tej, ministri Ameti shtoi se prania e arsenit është ndjeshëm më e ulët kur Jugohromi nuk punon./Telegrafi/