Një burrë nga Bay Arena, Kaliforni, po përballet me akuzën për vrasje pasi dyshohet se theri për vdekje një grua dhe postoi një video të “momenteve të saj të fundit” në Facebook, thotë Policia e San Mateos.
Autoritetet në Nevada njoftuan policinë e San Mateos të mërkurën pasdite se një person raportoi se kishte parë një incident të therjes me thikë në Facebook, tha policia në një deklaratë.
Telefonuesi siguroi emrin dhe numrin e telefonit të të dyshuarit që postoi videon, sipas policisë së San Mateos.
Gjurmët më pas i çuan ata në një kompleks apartamentesh në San Mateo.
Hetuesit më vonë arrestuan të dyshuarin 39-vjeçar, Mark Mechikoff, në San Jose, tha policia.
“Ndonëse motivi i therjes me thikë është ende duke u hetuar, ne e dimë se Mechikoff filmoi pa mëshirë momentet e fundit të jetës së viktimës dhe postoi videon në Facebook, më pas u largua nga zona”, tha policia e San Mateos në deklaratë.
Para arrestimit, oficerët e policisë kaluan gati tre orë duke shkuar derë më derë në kompleksin e madh përpara se të gjenin viktimën në një apartament, thuhet në deklaratë. /Telegrafi/