Telegrafi

Amerikanët vendosën sanksione ndaj qindra njerëzve dhe kompanive nga Kina, Turqia dhe EBA shkaku i bashkëpunimit me Rusinë

Shtetet e Bashkuara vendosën sot sanksione të reja ndaj qindra njerëzve dhe kompanive, duke përfshirë ato në Kinë, Turqi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, për të parandaluar Rusinë që të shmangë sanksionet ndërsa objektivat janë bankat ruse, energjia, përpunimi i metaleve dhe sektorët e minierave.

Thesari i SHBA-së dhe Departamenti i Shtetit kanë vendosur sanksione ndaj 250 individëve dhe subjekteve në një përpjekje për të frenuar Rusinë dhe për ta parandaluar atë nga shmangia e sanksioneve të vendosura shkaku i pushtimit të Ukrainës.

“Ne do të vazhdojmë të përdorim mjetet që kemi në dispozicion për të promovuar përgjegjësinë për krimet ruse në Ukrainë dhe ata që financojnë dhe mbështesin makinerinë ruse të luftës”, tha në një deklaratë sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken.

Ministria e Financave vendosi sanksione ndaj një rrjeti prej katër subjektesh dhe nëntë personash me bazë në Kinë, Rusi, Hong Kong dhe Pakistan për ndërmjetësimin dhe prokurimin e armëve dhe teknologjisë kineze për Rusinë. Ai thekson se rrjeti u përpoq të anashkalonte sanksionet amerikane dhe kontrollet kineze mbi eksportin e materialeve ushtarake.

Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe kompanitë kineze janë gjithashtu në shënjestër të sanksioneve për furnizim me teknologji, pajisje dhe pjesë, duke përfshirë kushinetat, pjesët e aeroplanëve dhe sistemet me rreze X. Kompanitë kineze i takojnë sektorit të imazheve satelitore, të cilat i kanë ofruar fotografi grupit mercenar rus Wagner.

Departamenti i Shtetit ka vendosur sanksione ndaj subjekteve kineze që janë pjesë e një rrjeti që morën pjesë në prokurimin e pjesëve mikroelektronike për konglomeratin shtetëror rus Rostec, i cili tashmë është nën sanksionet e SHBA-së dhe që përdoreshin për luftë elektronike. Si pjesë e kësaj, kompanitë në Rusi, Turqi dhe Hong Kong gjithashtu u sanksionuan. /Telegrafi/