Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka urdhëruar ndryshim destinacioni të mbi 200 milionë dollarë ndihmave ekonomike, që ishin caktuar për Gazën dhe Bregun Perëndimor.
Një zyrtar i Departamentit të Shtetit tha se vendimi është marrë pas një procesi rishikimi, “për t’u garantuar se këto fonde shpenzohen në përputhje me interesat kombëtare amerikane”.
Vendimi vjen pasi më parë janë ndalur edhe rreth 65 milionë dollarë nga agjencia e OKB-së për ndihmat ndaj palestinezëve.
Marrëdhëniet mes palestinezëve dhe Shteteve të Bashkuara janë vështirësuar së tepërmi, që prej ardhjes së Trumpit në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Por, ato kapën nivelin më të ulët, pasi Amerika njohu Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit në dhjetor të vitit 2017.
Për pasojë, palestinezët thanë se Shtetet e Bashkuara nuk mund të vijonin me rolin e tyre të ndërmjetësit, në procesin e paqes me izraelitët, duke pezulluar kështu kontaktet me ta.
Administrata amerikane, ndërkohë, pezulloi në qershor ndihmat për palestinezët derisa të kryhej një rishikim bazuar mbi Aktin “Taylor Force”, një ligj që synonte të detyronte Autoritetin Palestinez të ndalej së dhëni pagesa për familjet e individëve të dënuar për terrorizëm ndaj Izraelit.
Të premten, zëdhënësi i DASH-it tha se vendimi për të “kanalizuar” fondet në “projekte të prioritetit më të lartë” është bërë pas këtij rishikimi, por nuk tha se ku do të shkonin paratë.