Site icon Telegrafi

American School of Kosova shkëlqen me brezin e 20-të të diplomuarve, prindërit shfaqin emocione dhe krenari

Në javën që lamë pas u mbajt ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 20-të të nxënësve të American School of Kosova (ASK). Në këtë mbrëmje gala nuk munguan performancat e nxënësve me këngë dhe instrumente.

Presidenti i ASK-së, Ardian Hoxha në hapjen e ceremonisë tregoi se pas 20 vitesh për herë të parë do ta moderojë këtë ngjarje të cilën e quajti një nga më të rëndësishmit.

Ardian Hoxha, president i ASK-së

“Për herë të parë në 20 gjenerata, nuk do të vesh një kostum dhe për herë të parë do të bashkë-prezantoj një ceremoni diplomimi. Pra, pse e bëmë kështu? Sepse për mu ky është një nga momentet më të veçanta. Me të vërtetë, për mua, një nga momentet më të veçanta. Jo vetëm që është një numër i mirë, por gjithashtu në këtë gjeneratë po diplomohet edhe vajza ime, Liza”, tha ai.

Edhe Behxhet Pacolli tregoi se djali i tij, Isa është kthyer në Kosovë me vetë-dëshirë dhe tashmë i diplomuar në ASK.

Behgjet Pacolli

“Duhet t’ju falënderoj personalisht juve dhe stafin tuaj edukues që kanë bërë një punë të shkëlqyer për të edukuar këto vajza dhe djem të rinj. Isha shumë i lumtur dhe krenar për djalin tim që shprehu dëshirën për të ardhur në Kosovë… Ai ishte vetëm pothuajse gjatë gjithë kohës këtë vit, sepse isha 30 për qind në Zvicër, 30 për qind në avion, 30 për qind ndoshta diku tjetër”, u shpreh Pacolli.

Edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ndau emocionet e tij në lidhje me këtë ngjarje dhe për diplomimin e vajzës së tij, Enkela.

Ejup Maqedonci, ministër i Mbrojtjes

“Me të vërtetë është një ndjesi e veçantë, një emocion i veçantë, sidomos kur kemi parasysh faktin që tanimë në liri mundësia për të festuar, për të organizuar ceremoni të tilla është shumë e mirë. E mbaj mend kohën kur kemi diplomuar ne nga shkollat e mesme, ka qenë kohë okupimi shumë vështirësi në mënyrë ilegale organizoheshin edhe ceremonitë e diplomimit, kurse tani çdo gjë është ndryshe dhe kjo normalisht fal gjakut dhe dëshmorëve, punës së shumë brezave për të ardhur deri këtu”, tha Maqedonci.

“Enkela, vajza ime, ka regjistruar Amerikan School of Kosovë pasi jemi kryer nga SHBA-të, ku kam qenë për shkollimin ushtarak atje dhe ka qenë e vetmja shkollë që i kam mundësuar që të ndërlidhë programin që ka pas në Shtetet e Bashkuara me këtë këtu”, ka thënë Maqedonci.

I ftuar në këtë mbrëmje gala ishte edhe ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker i cili tha se ndihet krenar për pjesëmarrjen e tij në diplomimin e kësaj gjenerate.

Ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker

“Jam shumë krenar që jam këtu për disa arsye. Një nga arritjet më të mëdha të jetës sime në Kosovë ishte rreth kohës kur ju filluat ‘American School of Kosova’, unë isha i përfshirë në themelimin e disa gjërave, një pjesë të madhe falë Behgjet Pacollit, në ‘American University of Kosova’“, tha Walker.

Po ashtu, pjesë e këtij eventi ishte edhe zëvendës-shefja e misionit të SHBA-vë në Kosovë, Aluson Grunder.

Ajo tha se ambasada e SHBA-së vlerëson ekipin dhe është shumë falënderues për arsimin dhe kurrikulën e gjerë që kjo shkollë ofron nxënësve të saj.

Zëvendës-shefja e misionit të SHBA-vë në Kosovë, Aluson Grunder

“Mësimdhënësi dhe stafi i ASK-së, miq, prindër, anëtarë të familjes, vizitorët e dalluar duke përfshirë ministrin Maqedonci, ambasadorin tim patrioti, William Walker dhe shumë të tjerë që janë këtu sot dhe mbi të gjitha, të diplomuarit e klasës së 2024. Është një nder i madh që jam këtu dhe që shoh kaq shumë fytyra të lumtura të bashkuara për të festuar këtë ditë të mrekullueshme…”, u shpreh Grunder.

Ndërsa, njëra nga nxënëset e diplomuara, Simona Kristova tha se ndjehet shumë e lumtur në ditën e diplomimit të saj në ASK.

Simona Kristova, nxënëse

“Isha shumë e lumtur që mora diplomën time sidomos në ‘American School of Kosova’ sepse për mendimin tim kjo është një nga shkollat më të mira që mund të shkosh”, tha ajo.

Nxënësi Eris Ramaj e përshkroi përvojën e tij në këto vitet e shkollimit me fjalë pozitive.

Eris Ramaj, nxënës

“Këto ishin të vitet shumë të lehta për mua, sepse mësuesit e mi Edhe udhëzueset e kanë bo shumë të lehtë për mua dhe në ekstrem shumë mirë po ndihna që e kam kry”, tha ai. /Telegrafi/

Exit mobile version